Nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kyçe të ditës së 25-të të luftës në Ukrainë:
-Akuza për krime lufte dhe gjenocid: Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka akuzuar Rusinë për krime lufte gjatë rrethimit të qytetit jugor të Mariupolit. Ai tha se terrori në Mariupol do të mbahet mend me shekuj. Ndërkaq, zëvendëskryeministrja ukrainase, Olha Stefanishyna, akuzoi palën ruse për kryerje të akteve të “gjenocidit” gjatë pushtimit rus. Ajo tha se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe liderët në Kremlin, “janë kriminelë lufte”.
-Bombardimi i shkollës: Zyrtarët ukrainas thanë se një shkollë arti në qytetin e rrethuar të Mariupolit, që përdorej si strehimore, është bombarduar nga forcat ruse. Sipas këshillit të qytetit, afër 400 persona po strehoheshin në shkollën, e cila u tha se është shkatërruar. Ende nuk dihet nëse ka viktima nga ky sulm, por autoritetet ukrainase thanë se njerëzit janë të bllokuar nën rrënoja.
-Raketa hipersonike: Për herë të dytë, Rusia tha se ka përdorur raketa hipersonike në sulmet në Ukrainë. Ministra ruse e Mbrojtjes tha se sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv.
-Vrasja e oficerit të marinës: Ukraina pretendoi se ka vrarë Andrey Paliy, kapiten i rangut të parë në marinën ruse. Ai u tha se u vra gjatë luftimeve të ashpra. Nëse ky lajm konfirmohet, atëherë Paliy do të ishte zyrtari i parë i lartë i marinës ruse i vrarë gjatë luftës në Ukrainë.
-Afër marrëveshjes: Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Ukraina dhe Rusia janë afër arritjes së një marrëveshjeje për çështje “kritike”. Ai nuk tregoi se për çfarë çështjesh bëhet fjalë, por tha se një armëpushim mund të arrihet nëse palët nuk bëjnë hapa prapa nga pozicionet e tyre aktuale.
-“Në anën e duhur të historisë”: Kina, që nuk e ka dënuar pushimin rus të Ukrainës, tha se sa i përket kësaj lufte, Pekini është “në anën e duhur të historisë”. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se koha do ta dëshmojë se pozicioni i Kinës ka qenë i duhuri.