LIVE: Rusia fillon të merr pengje nga Ukraina, lideri autoritar paralajmëron ‘Luftën e Tretë Botërore’!

Evropë

LIVE: Rusia fillon të merr pengje nga Ukraina, lideri autoritar paralajmëron ‘Luftën e Tretë Botërore’!

Nga: Bota sot Më: 24 mars 2022 Në ora: 06:10 Përditësuar në ora: 13:52 më 24.03.2022
Tymi i rëndë fryn nga një magazinë e shkatërruar pas një bombardimi rus në periferi të Kievit, Ukrainë, të enjten, 24 mars 2022. (AP Photo/Vadim Ghirda)

Ndër zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë

Liderët e aleancës perëndimore të NATO-s, janë duke u takuar në një samit urgjent për të diskutuar hapat e ardhshëm ndaj Moskës, pas pushtimit rus në Ukrainë. Samiti në Bruksel është përshkruar si një ndër më të rëndësishmit në historinë e aleancës

Në takim pritet të miratohet edhe angazhimi i mijëra trupave shtesë në lindje të Evropës – Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani – në përpjekje për të forcuar krahun lindor

Duke folur në samit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka lavdëruar trimërinë e ukrainasve, mirëpo ka përsëritur thirrjet “për mbrojtje të qiejve” nga sulmet ruse

Ai ka thënë po ashtu, pa ofruar të dhëna, se Rusia ka përdorur bomba fosfori, pa e specifikuar në cilin qytet

Ndërkohë, marina ukrainase ka thënë se ka shkatërruar një anije ruse në qytetin-port të Ukrainës, Berdjansk

Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditura sanksione të reja kundër 65 individëve dhe organizatave ruse, duke përfshirë grupin e mercenarëve Wagner

Çfarë është NATO-ja dhe si i është përgjigjur pushtimit rus në Ukrainë?

Pas pak pritet të mbahet një konferencë për media e shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.

NATO-ja është formuar më 1949 nga 12 shtete, por edhe rritur në 30 – duke përfshirë ish-shtetet komuniste në lindje të Evropës.

Elementi kyç i aleancës është që shtetet pajtohen t’i ndihmojnë njëra -tjetrës në rast se sulmohet ndonjë shtet i vetëm.

NATO-ja i ka ofruar Ukrainës rrugën drejt anëtarësimit më 2008 – por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, kryesisht për shkak të kundërshtimeve të Rusisë.

Në fakt, një prej kërkesave të Moskës para pushtimit ka qenë që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s.

Meqë Ukraina nuk është anëtare e aleancës, NATO-ja nuk është e obliguar që të mbrojë këtë shtet.

Vendet anëtare nuk duan të dërgojnë trupa në Ukrainë, mirëpo kanë dërguar armë në këtë shtet – dhe janë duke planifikuar që të forcojnë krahun lindor.

​Inteligjenca britanike: Rusia ka pësuar mijëra viktima gjatë pushtimit të Ukrainës

Forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha në luftën në Ukrainë, sipas inteligjencës britanike, tha sot Ministria britanike e Mbrojtjes.

“Forcat ruse pothuajse me siguri pësuan mijëra viktima gjatë pushtimit të Ukrainës. Rusia ka të ngjarë të mobilizojë rezervistë dhe rekrutët, si dhe mercenarë privatë dhe të huaj, për të kompensuar humbjet e konsiderueshme”, shkruan ministria në një postim në Twitter.

Është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë grupi në efektivitetin e luftës, tha ministria.

Zelensky: Ukraina po lufton në kushte të pabarabarta

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka folur të enjten në Samitin e NATO-s, përmes video-lidhjes.

Zelensky ka thënë se ka kërkuar ndihmë ajrore “për të mbrojtur qiellin tonë” nga fillimi i luftës, pasi Ukraina nuk ka pajisje të fuqishme për mbrojtje.

Ai ka thënë se Rusia është duke përdorur armë të shkatërrimit në masë dhe pasojat shihen qartë.

“Ne jemi në situatë jo të barabartë për një muaj”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për mbështetje ushtarake pa kufizime, në mënyrë që të ruhet populli dhe qytetet ukrainase.

Ai ka thënë se Rusia është duke përdorur gjithë arsenalin e saj – duke shënjestruar qyteza, spitale dhe ura.

Deri më tani Ukraina nuk ka pranuar asnjë aeroplan, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë se ka kërkuar edhe tanke, mirëpo ende nuk është bërë e ditur përgjigja e vendeve të NATO-s.

“Ukraina nuk dëshiron të zhvillojë luftëra për vite e vite me radhë”, ka thënë ai.

“Ne vetëm duam të mbijetojmë, të ruajmë njerëzit tanë”.

Mirëpo ai ka thënë se nuk fajëson NATO-n, pasi raketat e tyre nuk janë duke shkatërruar qytetet.

Aleanca mund të ndihmojë për të shmangur vdekjet, duke i ofruar Ukrainës më shumë municion, ka thënë Zelensky.

Është çështje e jetës dhe vdekjes, ka thënë mes tjerash ai.

I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Një muaj më pas: mijëra njerëz të vrarë; miliona të zhvendosur; banesa, spitale, shkolla e rrugë të shkatërruara.

Si çoi fiksimi i presidentit rus me Ukrainën në një operacion të madh ushtarak në Evropë, të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore?​

Kremlini: Abramovich ka luajtur rol në fillim të bisedimeve për paqe

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov është deklaruar të enjten për një mori çështjesh – duke përfshirë rolin e oligarkut të sanksionuar rus, Roman Abramovich në bisedimet për paqe.

Ai ka thënë se pronari i klubit britanik të futbollit, Chelsea “ka marrë pjesë në fazën fillestare”, mirëpo ai proces tani është në duart e dy palëve negociatore.

Kremlini është deklaruar edhe për dëbimet e fundit të diplomatëve amerikanë nga Rusia.

Peskov ka thënë se Rusia ka qenë e detyruar t’i dëbojë ata, pasi 12 diplomatë rusë janë dëbuar nga misioni rus në Kombet e Bashkuara në Nju Jork muajin e kaluar.

Një muaj luftë, Mariupol në gërmadha

Gresa Bajraktari Gresa Bajraktari

Një muaj pas luftës, ka shkatërrim dhe vuajtje pothuajse kudo në këtë vend. Por asnjë vend nuk ka parë tmerret e agresionit të paprovokuar të Rusisë si Mariupol, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Trupat pushtuese e kanë rrethuar qytetin dhe e kanë sulmuar pa mëshirë, nga ajri, toka dhe ditët e fundit edhe nga deti.

Thuajse asgjë nuk duket se ka mbetur pa u prekur. Rrugë pas rruge, ndërtesë pas ndërtese, qyteti është rrënuar.

Dhe mes atyre rrënojave, 100,000 njerëz janë ende të bllokuar, të nënshtruar ndaj një rrethimi të ngjashëm me atë mesjetar.

Nuk ka energji elektrike, gaz, ujë të rrjedhshëm. Disa kanë shkrirë borën për të pirë. Raportet thonë se fëmijët kanë vdekur nga dehidratimi.

Trupat po lihen në rrugë, pasi është shumë e rrezikshme që njerëzit të dalin dhe t'i marrin. Kur mblidhen përfundimisht, disa përfundojnë të varrosur në varre masive.

Forcat ukrainase po luftojnë fort për ta mbajtur këtë qytet në duart e tyre. Frika, në Mariupol dhe gjetkë, është se nëse rusët nuk mund ta kenë, ata do të bëjnë gjithçka për ta shkatërruar.

Zelensky: Rusia ka përdorur bomba fosfori

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se ka përdorur bomba fosfori këtë mëngjes.

“Sërish, fëmijët tanë janë duke vdekur, njerëzit janë duke vdekur”, i ka thënë ai NATO-s.

Ai nuk ka ofruar hollësi se ku ka ndodhur sulmi.

Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e qytezës Izum

Rusia ka thënë se ka fituar kontrollin e qytezës ukrainase Izum, në rajonin Harkiv, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, Rossiya 24.

“Forcat e armatosura ruse vazhdojnë të kryejnë misione të operacionit special ushtarak. Në mëngjesin e 24 marsit, njësitet e ushtrisë ruse kanë marrë kontrollin e plotë të qytezës Izum, në rajonin Harkiv”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Megjithatë, administrata ukrainase e qytetit ka thënë se luftimet janë duke vazhduar.

Më herët gjatë javës, një zyrtar i Pentagonit ka thënë në kushte anonimiteti se ushtria ukrainase ka nisur kundërsulm në një qytet të vogël në rajonin Harkiv.

Izum përbën rrugë kyçe në rajonin Donbas, çka mund t’iu mundësojë forcave ruse që të lidhen në veri-lindje dhe jug-lindje.

Qyteza ka një popullsi prej 50,000 personash dhe është nyje e rëndësishme hekurudhore.

Britania sanksionon më shumë rusë

Qeveria britanike ka njoftuar se do të sanksionojë edhe 65 individë dhe subjekte ruse, si përgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë.

Ky vendim vjen pas sanksionimit të qindra pjesëtarëve të regjimit rus dhe oligarkëve të këtij shteti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat