Edhe Roman Abramovich mori pjesë në negociatat Rusi-Ukrainë
Arife Morina
Derisa NATO vazhdon me bisedimet e saj në Bruksel për krizën, Kremlini po i jep përditësimet e tij shtypit.
Duke konfirmuar një histori të disa javëve më parë, Kremlini sapo ka konfirmuar se pronari i Chelseat dhe oligarku rus Roman Abramovich luajti një rol të hershëm në bisedimet e paqes me Ukrainën, shkruan Sky News, përcjell "Bota sot".
Abramovich tani ka pasur sanksione të rëndësishme nga SHBA, Britania e Madhe dhe BE, dhe nuk është në gjendje të bëjë asnjë fitim nga shitja e Chelsea.
Diku tjetër, Kremlini tha se arsyeja pse ministri rus i mbrojtjes nuk është shfaqur në publik për një kohë është sepse ai është i zënë dhe nuk është "koha e duhur" për paraqitje në media.
Ushtrisë së varfëruar të Putinit po i mbaron koha
Sean Rayment
Ka një fjalë të urtë shumë të dobishme që përdoret shpeshherë nga gjeneralët në kohë lufte: asnjë plan nuk i mbijeton dot kontaktit me armikun. Duket se deri më tani plani i Vladimir Putin, nuk i mbijetoi as kontaktit me trupat e tij.
Udhëheqësi rus ka kombinuar një llogaritje të gabuar strategjike me marrëzinë taktike në një shkallë të paprecedentë të parë kohët e fundit. Katër javë pas nisjes së “operacionit special ushtarak”, gjeneralët e tij nuk kanë arritur asnjë nga objektivat e tyre të planifikuar. Përparimet në të gjitha frontet kanë ngecur, dhe nuk është fituar asnjë betejë vendimtare. Madje ka pasur raporte (aktualisht të paverifikuara) për njësi ruse të rrethuara nga forcat ukrainase pranë Kievit. Rusia nuk ka fituar ende epërsi ajrore, dhe ka dështuar të pushtojë plotësisht një qytet të madh.
Të dhënat e fundit të viktimave nga Ukraina, pretendojnë se 12.814 ushtarë rusë janë vrarë në aksion, 4 prej të cilëve janë gjeneralë. Po ashtu mendohet se janë eliminuar rreth 5000 mercenarë. Numri i të plagosurve mund të jetë gjithashtu deri në 40.000.
Sa i përket armatimeve, Rusia ka humbur më shumë se 1.400 automjete të blinduara, 1.470 tanke, 96 avionë dhe 118 helikopterë. Edhe pse thuhet se Moska është në gjendje ta durojë dhimbjen si asnjë vend tjetër, dhe ka një numër të madh rekrutësh, kaq shumë viktima në vetëm 4 javë janë një dramë e vërtetë.
Kur, pse dhe si mund t’i përdorë Putin armët bërthamore
Andreas Kluth
Ne duhet të supozojmë se një njeri si Vladimir Putin është i aftë të bëjë çdo gjë, madje edhe të përdorë armët e tij bërthamore. Presidenti rus e ka bërë shumë të qartë se për të jeta e njeriut nuk vlen nëse ajo nuk është e tija. Ndaj ekzistojnë disa skenarë, në të cilët ai mund të llogarisë në mënyrë djallëzore, se lëshimi i një ose më shumë armëve bërthamore mund ta mbajë atë në pushtet dhe t’i shpëtojnë jetën.
Kjo sepse ne kemi hyrë në një botë, e cila në aspektin strategjik, i ngjan më shumë Evropës në vitet e para të paqëndrueshme të Luftës së Ftohtë sesa gjatë fazave të saj të mëvonshme relativisht më të qëndrueshme. Efekti do të ishte zhdukja e koncepteve të vjetra të parandalimit dhe rritja e rrezikut të një Apokalipsi bërthamor aksidental.
Gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja e dinte shumë mirë se forcat e saj në Evropën Perëndimore ishin inferiore ndaj atyre të Bashkimit Sovjetik, dhe ndoshta nuk do t’i bënin ballë sulmit të këtij të fundit.
Për ta kompensuar këtë dobësi, amerikanët vendosën në vendet aleate evropiane bomba bërthamore me një fuqi relativisht të ulët (gjithsesi ende shkatërruese në një mënyrë të paimagjinueshme). Mesazhi ishte se në rastin të një sulmi sovjetik, NATO mund të hidhte disa prej tyre në fushën e betejës për të arritur fitoren.
Qeveria britanike ka njoftuar se do të sanksionojë edhe 65 individë dhe subjekte ruse, si përgjigje ndaj pushtimit rus në Ukrainë.
Ky vendim vjen pas sanksionimit të qindra pjesëtarëve të regjimit rus dhe oligarkëve të këtij shteti.
Liderët e NATO-s arrijnë në Bruksel në samitin për Ukrainën
Liderët e NATO-s kanë arritur në Bruksel për të analizuar hapat e radhës ndaj pushtimit rus në Ukrainë.
Ky grup është mbledhur për një “fotografi tradicionale familjare” para nisjes së takimit, i cili është përshkruar si një ndër më të rëndësishmit në historinë e aleancës, teksa lufta në Ukrainë hyn në muajin e dytë.
Ndër zhvillimet e fundit të 24 marsit
Liderët evropianë takohen të enjten në samitin e NATO-s, të Bashkimit Evropian dhe atë të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), një muaj pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë
Presidenti amerikan, Joe Biden do t’iu bashkohet atyre dhe pritet të prezantojë sanksione të reja kundër Rusisë
Liderët e NATO-s pritet të forcojnë krahun lindor në Evropë
Para takimit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë një video-adresim në gjuhën angleze, duke bërë thirrje për protesta globale, si shenjë mbështetjeje për Ukrainën
Qyteti jugor Mariupol vazhdon të bombardohet dhe rreth 100,000 njerëz kanë mbetur të bllokuar, pa ushqim, ujë dhe karburante
Qytetet tjera si Kievi, Çernihivi dhe Harkivi janë duke u bombarduar po ashtu
Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë thënë se trupat ruse janë të demoralizuara dhe rrezikojnë të rrethohen jashtë Kievit
Borrell akuzon Moskën se po i bllokon bisedimet me Ukrainën
Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se Rusia është duke bllokuar bisedimet për arritje të armëpushimit në Ukrainë dhe nuk po i trajton diskutimet me seriozitet derisa të arrijë qëllimet e veta në pushtimin e paprovokuar.
Në një intervistë për transmetuesin spanjoll, TVE, më 24 mars, Borrell ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin synon të rrethojë gjirin e Detit të Zi, në mënyrë që ta izolojë Ukrainën nga qasja në ujëra.
“Tani Rusia nuk dëshiron të ulet dhe të negociojë diçka, ajo dëshiron ta pushtojë tokën”, ka thënë Borell në një intervistë për kanalin spanjoll.
“Dëshiron të negociojë vetëm kur të ketë siguruar pozicionin e fortë”, ka thënë Borell.
Rusia ka nisur pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt.
Ndonëse ka lëvizur në veri dhe lindje, beteja më e ashpër deri më tani ka qenë në Mariupol, ku forcat ruse janë përballur me rezistencën ukrainase.
Marrja e kontrollit të Mariupolit do t’i mundësonte Rusisë që të lidhte Krimenë – që Moska e ka pushtuar më 2014 – me territorin e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Kremlini në lindje të Ukrainës.
Banorët e Mariupolit, dhjetëra mijëra prej të cilëve ende nuk kanë ikur nga qyteti, janë bllokuar për javë, pa rezerva të ushqimit dhe karburanteve.
Të paktën 2,000 njerëz kanë vdekur dhe disa janë varrosur në varreza masive, kanë thënë autoritetet.
Putinit po i vie fundi!/ Agjentët rusë të frustruar, planifikojnë grusht-shtet ndaj presidentit rus
Arife Morina
Shanset që Vladimir Putin të rrëzohet nga një grusht shtet po rriten "çdo javë" ndërsa pushtimi i dështuar i Ukrainës vazhdon, ka pohuar një burim anonim, raporton The Sun, përcjell "Bota sot".
Një burim brenda shërbimit rus të sigurisë FSB ka thënë se agjentët janë gjithnjë e më të frustruar me trajtimin e luftës nga Putini.
Putini priste një fitore të shpejtë kur urdhëroi pushtimin më 24 shkurt, por rezistenca e ashpër nga ukrainasit ka parë një numër në rritje të vdekjeve, me disa gjeneralë dhe oficerë të lartë në mesin e të vdekurve.
Duke cituar burimin e tij, gazetari rus Vladimir Osechkin i tha The Times se sanksionet perëndimore po dëmtonin stilin e jetës së agjentëve të shërbimit sekret të vendit të tij, të cilët dyshohet se po ndalohen të vizitojnë shtëpitë e tyre të pushimit ose të jenë në gjendje të "çojnë fëmijët e tyre në Disneyland Paris".
Zelensky synon të arrijë një audiencë të gjerë në thirrjen "për të mbështetur jetën"
Nga: M.L.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve në mbarë botën që të dalin në rrugë në protestë kundër pushtimit rus të vendit të tij – “për të mbështetur lirinë, për të mbështetur jetën”.
Gjëja që del jashtë në lidhje me adresën e tij është se ai flet në anglisht për një pjesë të madhe të saj. Sa herë që BBC është përpjekur të flasë me të në të kaluarën, ai gjithmonë ka insistuar të flasë ukrainisht, transmeton "Bota sot".
Për liderin e këtij vendi është shumë e rëndësishme që ai jo vetëm të qëndrojë në Kiev, por të vendosë një front patriotik, sfidues për popullin e tij përballë agresionit rus.
Edhe një herë mbrëmë ai qëndroi jashtë rezidencës presidenciale, ku u kërkoi njerëzve të dilnin në rrugët dhe sheshet e tyre në mbështetje të Ukrainës.
Ai në thelb bëri thirrje për një tubim global. Ai foli edhe në rusisht, duke u kërkuar njerëzve që të largohen nga Rusia dhe të mos paguajnë taksat, të cilat po kontribuonin drejtpërdrejt në këtë luftë.
Një muaj pas këtij pushtimi, Zelensky po përdor këtë moment historik për të vazhduar t'i bëjë njerëzit të dënojnë publikisht atë që po ndodh me vendin e tij.
Stoltenberg: Putin bëri “gabim të madh” me pushtim të Ukrainës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë “gabim të madh” me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Duke folur para samitit të jashtëzakonshëm të NATO-s më 24 mars, Stoltenberg ka thënë se liderët do të diskutojnë “nevojën për riorganizim të parandalimit dhe mbrojtje në periudhë afatgjatë”.
Aleanca ushtarake ka thënë se do të dyfishojë numrin e dislokimeve që ka në Evropë, duke përmendur Rumaninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Bullgarinë.
“Presidenti Putin ka bërë gabim të madh duke nisur luftë kundër një kombi të pavarur dhe sovran. Ai ka nënvlerësuar fuqinë e popullit ukrainas, trimërinë e popullit ukrainas dhe forcat të tyre të armatosura”, u ka thënë Stoltenberg gazetarëve para takimit.
Ai ka thënë se secili përdorim i armëve komike “do ta ndryshonte në themel” natyrën e konfliktit në mes të Rusisë dhe Ukrainës dhe përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“Serioziteti i përdorimit të armëve kimike natyrisht se rritet edhe më shumë duke pasur parasysh rrezikun e helmimit… mund të ketë përhapje të agjentëve kimikë edhe në territorin e NATO-s”, ka thënë ai.
Ai nuk ka përmendur si do të mund të reagojë NATO-ja në rast të ndonjë sulmi të tillë./REL