Polonia do të ndalojë importet e thëngjillit nga Rusia
Polonia ka miratuar një projektligj që do të ndalonte importin e thëngjillit rus, ka thënë zëdhënësi qeveritar, Piotr Muller.
Ky shtet u ka kërkuar partnerëve të Bashkimit Evropian që të vendosin embargo në blerjen e energjisë ruse, mirëpo nuk ka arritur t’i bindë deri më tani.
Muller ka thënë se Qeveria nuk mund të presë më BE-në andaj ka vendosur që ta marrë vendimin e vetme.
Polonia është prodhuesja më e madhe e thëngjillit në bllokun evropian, mirëpo minierat e saj nuk prodhojnë sasi të mjaftueshme të thëngjillit që nevojitet për ngrohje të shtëpive, shkollave dhe spitaleve.
Disa prej termocentraleve të saj djegin edhe thëngjill rus.
Me 2020, Polonia ka blerë tre çerekë të 12.8 milionë tonëve të thëngjillit nga Rusia.
Më herët gjatë këtij muaji, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, ka thënë se ai ka zhvilluar bisedime me homologun e tij australian për blerje të thëngjillit nga Australia.
“Britania do ta gjykojë Putinin për veprimet dhe jo për fjalët e tij”
Një zëdhënës i kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se Britania dëshiron që forcat ruse të tërhiqen plotësisht nga Ukraina dhe do të gjykojë hapat e përkohshëm drejt një marrëveshjeje të mundshme paqeje me veprime dhe jo me fjalë.
I pyetur nëse Johnson u inkurajua nga premtimi i Rusisë për të zvogëluar operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Ukrainës veriore, zëdhënësi i tij tha se Putinin do ta gjykojnë për veprimet e jo për fjalët e tij, raporton BBC.
“Ne do ta gjykojmë Putinin dhe regjimin e tij për veprimet e tij, jo për fjalët e tij. Ne nuk duam të shohim asgjë më pak se një tërheqje të plotë të forcave ruse nga territori ukrainas”, u shpreh ai.
Ukraina ftohet në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s
Ukraina dhe një numër vendesh joanëtare të NATO-s janë ftuar të marrin pjesë në takimin dyditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, javën e ardhshme, sipas një deklarate të aleancës veriatlantike.
NATO tha se “ministrat e Jashtëm të Australisë, Finlandës, Gjeorgjisë, Japonisë, Republikës së Koresë, Zelandës së Re, Suedisë dhe Ukrainës, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme [Josep Borrell]” do të marrin pjesë në një sesion të takimit më 7 prill.
Disa nga ministrat “mund të marrin pjesë përmes videolidhjes”, thuhet në deklaratë.
Ministrat e jashtëm nga 30 vendet anëtare të NATO-s do të mblidhen për herë të dytë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Ky takim vjen pas atij të javës së kaluar të nivelit të lartë, kur liderët e NATO-s u mblodhën në një samit të jashtëzakonshëm mbi krizën në Ukrainë.
Rusia: Zvogëlimi i operacioneve ushtarake nuk nënkupton armëpushim
Premtimi i Rusisë për të zvogëluar operacionet ushtarake rreth Kievit dhe veriut të Ukrainës, nuk nënkupton armëpushim, ka thënë shefi i ekipit negociator rus, Vladimir Medinsky.
Ai i ka bërë këto deklarata pas negociatave për paqe që kanë zhvilluar Ukraina dhe Rusia në Stamboll.
“Ky nuk është armëpushim, mirëpo kjo është aspirata jonë, që gradualisht të arrijmë uljen e tensioneve, të paktën në këto rajone”, ka thënë Medinsky në një intervistë për agjencinë e lajmeve, TASS.
Rusia ka thënë më herët gjatë ditës se planifikon të “zvogëlojë në mënyrë radikale” aktivitetet ushtarake jashtë qyteteve ukrainase, Kiev dhe Çernihiv.
Dështuan në Kiev, Rusia fokusohet tani në këtë pjesë të Ukrainës
Ndërsa bisedimet e paqes po zhvillohen, lufta në terren në Ukrainë po vazhdon ende.
Këtu janë të dhënat e fundit nga analisti i mbrojtjes dhe sigurisë Michael Clarke mbi lëvizjet e trupave ruse dhe ukrainase, përcjell “Bota sot”.
"Hostomel është ende duke luftuar. Rusët me siguri nuk kanë qenë në gjendje të përdorin aeroportin në Hostomel”.
“Po ashtu Bucha, ukrainasit thonë se pak a shumë e kanë rikthyer atë. Ata janë duke u futur pas rusëve tani. Rusët është e qartë se tani nuk mund të rrethojnë Kievin, ashtu siç ne të gjithë prisnim të ishin në gjendje të bënin disa javë më parë”.
Në njoftimin e Rusisë se do të tërhiqet nga kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, me qëllim që të rrisë besimin reciprok, Clarke për Sky news tha: “Është një racionalizim i situatës ushtarake në të cilën ata gjenden. Por, jam i sigurt se ata e kuptojnë, se ku duhet të përqendrojnë forcat e tyre”.
“Ato janë shumë të shpërndara, duhet të përqendrohen diku dhe prandaj vëmendja jonë tani shkon drejt juglindjes së vendit. Në të gjithë juglindjen, ukrainasit thonë se kanë marrë Trostyanets, i cili është një udhëkryq midis Sumy dhe Kharkiv - të dyja objektivat kryesore për Rusinë", shtoi zoti Clarke./A.M
Katër vende evropiane dëbojnë diplomatë rusë
Katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar më 29 mars për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim.
Holanda ka njoftuar se do të dëbojë 17 diplomatë rusë, të cilët Ministria e Jashtme holandeze, ka thënë se janë zyrtarë të inteligjencës ruse.
Belgjika ka thënë se do të dëbojë 21 diplomatë rusë, Irlanda, katër dhe Republika Çeke, një diplomat.
Ministria e Jashtme holandeze ka thënë përmes një deklarate se ambasadorit rus i është kumtuar lajmi për dëbimet.
Blinken: Ka dallim mes asaj që thotë dhe bën Rusia
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë “shenja reale të seriozitetit” nga Rusia për arritje të paqes, prej kur ky shtet ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Blinken i ka bërë këto komente pasi Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar bisedime për paqe dhe Moska ka bërë të ditur se do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” operacionet luftarake në Kiev dhe Çernihiv, në mënyrë që të “rrisin besimin reciprok”.
Turqia ka thënë se në bisedime është arritur përparimi më i madh në mes dy palëve, prej shpërthimit të luftës.
Mirëpo Blinken ka thënë se ka dallim mes asaj që thotë dhe bën Rusia, dhe se SHBA-ja është e fokusuar në këtë të fundit.
Ai ka thënë se Rusia duhet t’i japë fund agresionit dhe të tërheqë mbrapsht forcat.
Edhe Belgjika dëbon diplomatë rusë
Autoritetet belge kanë vendosur të dëbojnë 21 diplomatë rusë për aktivitete të lidhura me spiunim.
Diplomatëve u janë dhënë dy javë kohë për t’u larguar nga shteti, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Elke Pattyn për agjencinë e lajmeve, Associated Press.
Rusia nis tërheqjen e trupave nga Kievi
Rusia me sa duket ka filluar tërheqjen e trupave të saj të para nga rajoni rreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, përcjell "Bota sot". Kjo është raportuar nga gazetari i CNN Jim Sciutto në Twitter.
Ai e mësoi këtë nga dy pjesëtarë të personelit të lartë ushtarak amerikan.
Ky është një ndryshim "i rëndësishëm" në strategjinë e Rusisë në luftën në Ukrainë.
"I fundit: Rusia ka filluar të tërheqë disa forca nga kryeqyteti ukrainas Kiev, në atë që SHBA e vlerëson si një ndryshim "i madh" strategjie, më thonë dy zyrtarë të lartë amerikanë.
SHBA tashmë po vëzhgon lëvizjet e Grupeve Taktike të Batalioneve Ruse (BTG) 1",shkroi Sciutto.
Rusia njoftoi të martën se do të reduktonte "radikalisht" sulmet ndaj Kievit.
"Sipas pikëpamjes së SHBA-së, ky nuk është një rregullim afatshkurtër për t'u rigrupuar, por një lëvizje afatgjatë, pasi Rusia po përballet me dështimin për të avancuar në veri. Ministria e Mbrojtjes ruse tha të martën se ka vendosur të "zvogëlojë në mënyrë drastike armiqësitë" në drejtimet e Kievit dhe Chernihiv", shkroi gazetari./M.L
Biden dhe liderët evropianë do të diskutojnë për Ukrainën
Presidenti amerikan, Joe Biden do të bisedojë me liderë të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të martën, për të diskutuar zhvillimet e fundit rreth pushtimit rus në Ukrainë, ka thënë Shtëpia e Bardhë.
Biden pritet të bisedojë përmes telefonit me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin italian, Mario Draghi dhe kryeministrin britanik, Boris Johson.
Kjo thirrje telefonike do të zhvillohet pas bisedimeve për paqe në mes të Ukrainës dhe Rusisë, të cilat janë mbajtur në Stamboll.
Në to, Moska është zotuar se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth qyteteve ukrainase, Kiev dhe Çernihiv, derisa Ukraina ka propozuar status neutral dhe garanci ndërkombëtare të sigurisë, për të mbajtur territorin që ka.
Biden është kthyer nga Evropa, pas vizitave që ka kryer me liderë evropianë dhe ka qenë pjesë e samitit të NATO-s, për të diskutuar përgjigjen e Perëndimit ndaj luftës në Ukrainë.
Macron është thënë se do të diskutojë të martën edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.