Rusia thotë se u largua nga Kievi, por Pentagoni lëshon paralajmërimin e fortë

Evropë

Rusia thotë se u largua nga Kievi, por Pentagoni lëshon paralajmërimin e fortë

Nga: BOTA SOT Më: 29 mars 2022 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 16:56 më 29.03.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Holanda dëbon 17 agjentë të inteligjencës ruse

Holanda ka dëbuar 17 agjentë të inteligjencës ruse, të cilët janë akredituar si diplomatë, duke u bazuar në informatat e siguruara nga shërbimet e saj të sigurisë, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Holandës përmes një komunikate.

“Arsyeja e këtij vendimi është informacioni i marrë nga shërbimet e sigurisë, që tregon se individët në fjalë, të akredituar si përfaqësues rusë në Holandë, kanë vepruar si zyrtarë të inteligjencës”, ka thënë Ministria.

Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra, ka thënë se Qeveria është e përgatitur për secilin veprim hakmarrës të Moskës.

“Përvoja tregon se Rusia nuk hesht ndaj këtyre masave. Ne nuk mund të spekulojmë në këtë gjë, mirëpo Ministria e Punëve të Jashtme është e përgatitur për skenarë të ndryshëm që mund të ndodhin në të ardhmen”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Jehona e komenteve të presidentit Biden për Putinin

Turneu i shpejtë diplomatik i presidentit amerikan Joe Biden në Evropë do të mbahet mend më shumë për fjalët e tij për presidentin rus Vladimir Putin kur tha se: "Ai nuk mund të qëndrojë në pushtet". Dy ditë pas atij komenti, presidenti Biden sqaroi se megjithëse nuk tërhiqet nga vlerësimi i tij personal, Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të largojnë Putinin nga pushteti. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, njofton nga Shtëpia e Bardhë se çfarë do të thotë kjo deklaratë ndërsa konflikti në Ukrainë hyri në muajin e dytë. 

Pas tre ditë takimesh të gjata dhe negociatash delikate, marrëveshjesh të forta dhe premtimesh të zjarrta, gjithçka kulmoi në 11 fjalë për presidentin rus Vladimir Putin: 

"Për atë Zot. Ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”. 

Në Uashington të hënën, presidenti Biden nuk u tërhoq nga komenti i tij - por sqaroi qëllimin që kishin ato fjalë. 

“Nuk tërheq asgjë fjalë. Fakti është se unë shpreha zemërimin moral që ndjeva ndaj mënyrës se si po sillet Putini dhe veprimeve të këtij njeriu, që është thjesht brutalitet, që ka prekur gjysmën e fëmijëve në Ukrainë. Sapo kisha vizituar disa nga ato familje. Por dua ta bëj të qartë, se as atëherë dhe as tani, nuk po artikuloj një ndryshim politikash. Shpreha zemërimin moral që ndjej dhe për këtë nuk kërkoj falje”, tha presidenti. 

Por analistët thonë se këto janë komente të rrezikshme për diplomacinë amerikane. 

“Kjo po konfirmon disa nga dyshimet më të këqija për atë që Shtetet e Bashkuara duan të arrijnë në çështjet globale. Për sa i përket reagimeve nga vendet e tjera të botës, sigurisht që komenti ishte i padëshiruar. Sigurisht që pamë reagimin e partnerëve të tjerë evropianë, që sqaruan se Shtetet e Bashkuara nuk duhet dhe nuk mund të përdorin këtë lloj gjuhe përshkallëzuese. Për fat të keq, komenti është ai që do të jehojë ende për disa ditë dhe javë”, thotë Andrew Lohsen me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

9 të vdekur nga sulmi i ndërtesës në Mykolaiv, shumica e njerëzve shpëtuan mrekullisht

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Të paktën nëntë persona u vranë dhe 22 u plagosën në një sulm rus në zyrën e guvernatorit ushtarak rajonal të rajonit jugperëndimor të Ukrainës Mykolaiv të martën.

Lajmin e bëri të ditur zyra rajonale e medias në Mykolaiv në kanalin Telegram, përcjell Bota sot.

Sipas guvernatorit Vitalii Kim, sulmi rus shkatërroi gjysmën e ndërtesës.

"Ata [rusët] goditën ndërtesën e administratës rajonale, rrënuan gjysmën e ndërtesës, goditën zyrën time. Shumica e njerëzve shpëtuan mrekullisht", tha Kim në një deklaratë në Telegram.

"Tetë civilë janë nën rrënoja, ne po i kërkojmë. 50-100 persona kanë dalë. Po kërkojmë edhe tre ushtarakë", shtoi ai.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, tha se sulmi goditi ndërtesën nëntëkatëshe të martën në mëngjes rreth orës 8:45 të mëngjesit me orën lokale.

“Seksioni qendror i ndërtesës nga kati i nëntë deri në katin e parë është shkatërruar, pa shkaktuar zjarr”, thuhet në deklaratë.

“Që nga ora 11:30, ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë një të vdekur nga rrënojat, 18 prej të shpëtuarve janë shtruar në spital. Në vendngjarje po punojnë ekipet e shpëtimit!".

Kremlini: Dialogu me SHBA-në është i nevojshëm

Kremlini beson se dialogu i mëtejshëm midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është i nevojshëm, pavarësisht mosmarrëveshjeve të fundit rreth deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden, shkruan Blick.ch transmeton "Bota sot".

"Fyerjet personale" të Biden ndaj presidentit rus Vladimir Putin do të kishin një "ndikim negativ" në marrëdhëniet midis dy vendeve. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të martën në Moskë, sipas agjencisë Interfax. “Megjithatë, dialogu ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është i domosdoshëm në çdo rast”, theksoi Peskov.

“Kjo nuk është vetëm në interes të të dy vendeve, por në interes të gjithë botës. Herët a vonë Rusia dhe SHBA do të duhet të flasin për stabilitetin strategjik dhe çështjet e sigurisë./M.L.

Zbulohen 600 spiunë të dyshuar rusë

Mimozë Lakna Mimozë Lakna

Tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë po hyjnë në raundin tjetër. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës publikoi të hënën një listë me më shumë se 600 spiunë të dyshuar rusë që besohet se operojnë në Evropë, shkruan Blick.ch transmeton “Bota sot”. Qëllimi i aksionit: Të dobësojë aktivitetet e shërbimit sekret rus, siç raportohet nga Fox News.

“Punonjësit rusë të FSB-së të përfshirë në veprimtari kriminale të vendit agresor në Evropë”, thuhet në titullin e artikullit. Sipas dokumentit, ata supozohet të jenë punonjës të shërbimit sekret, të cilët janë të regjistruar në adresën "Rruga Bolshaya Lubyanka në Moskë" - selia e FSB.

Numrat e telefonit dhe emrat e Skype-s

Lista, e publikuar në rusisht, përmban emra, numra telefoni, numra pasaportash, adresa regjistrimi, targa dhe herë pas here informacione financiare për 620 spiunë të dyshuar rusë. Në disa raste, lista përfshin gjithashtu një adresë shtëpie. Kurioz: Një prej tyre thuhet se është në Skype me pseudonimin "jamesbond007". Lista ende nuk është verifikuar nga një organ i pavarur.

Mirëpo, dihet se shërbimi sekret rus është i pranishëm edhe në Zvicër. Kur u pyet nga Blick, Shërbimi Federal i Inteligjencës (NDB) tha se shumica e shërbimeve të inteligjencës ruse do të funksiononin "nën kamuflazh diplomatik".

Sipas FIS, rreth "një e treta" e diplomatëve rusë të akredituar në Zvicër ose janë identifikuar si anëtarë të shërbimit inteligjent rus ose dyshohet se punojnë për shërbimin sekret nën mbulim diplomatik.

Shërbimi i lajmeve nuk thotë saktësisht se sa persona janë të përfshirë.

Rritet vlera e aksioneve pas bisedimeve për luftën

Pasi është bërë i ditur përparimi në bisedimet që janë zhvilluar mes Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll, në Evropë është rritur vlera e aksioneve.

Në Paris dhe Frankfurt, vlera e aksioneve është rritur për 3 për qind, ndërsa në Londër, 1.34 për qind.

Ndërkohë, çmimet ndërkombëtare të naftës kanë rënë.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka rënë për gati 6 për qind.

"Askush nuk po mendon të përdorë armë bërthamore", ky është vendimi që do të marr Putini

Hava Orana Xhukolli Hava Orana Xhukolli

Rusia ka kërkuar të zbusë frikën se po shqyrton përdorimin e armëve bërthamore.

Që nga shpërthimi i luftës më 24 shkurt, ka pasur shqetësime mbi synimet e Rusisë pasi Vladimir Putin urdhëroi forcat e tij parandaluese bërthamore të viheshin në gatishmëri të lartë.

Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i tha transmetuesit amerikan PBS se "askush" nuk po mendonte për përdorimin e armëve bërthamore.

I pyetur nëse Putin kishte sugjeruar më parë se do të përdorte armë bërthamore nëse një palë e tretë përfshihej në konfliktin në Ukrainë, Peskov tha: "Jo. Nuk mendoj kështu.

“Por ai ishte mjaft i guximshëm duke thënë mos ndërhyni, nëse bëni, ne i kemi të gjitha mundësitë për ta parandaluar atë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që do të ndërhyjnë”.

Zëdhënësi i Kremlinit vazhdoi duke thënë: "Askush nuk po mendon të përdorë… edhe për idenë e përdorimit të armëve bërthamore."

Vërejtjet qëndrojnë në kontrast me sinjalet më të forta dhe kërcënuese që kanë ardhur nga Kremlini gjatë muajit të kaluar dhe mund të perceptohen si provë e mëtejshme se Moska po e zbut gjuhën e saj në përgatitje për një marrëveshje paqeje të negociuar.

Gjatë intervistës së tij, Peskov i përshkroi gjithashtu komentet e presidentit amerikan Joe Biden për liderin rus këtë fundjavë si "mjaft alarmante".

“Para së gjithash, është një fyerje personale dhe vështirë se mund të imagjinohet një vend për një fyerje personale në retorikën e një lideri politik dhe veçanërisht të liderit politik të vendit më të madh në botë, Shteteve të Bashkuara. Kështu që na vjen shumë keq për këtë”, shtoi ai.

“Deklarata e tij nëse Putini nuk duhet apo duhet të jetë në pushtet në Rusi është sigurisht e papranueshme. Nuk i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara të vendosë se kush do të jetë dhe kush është presidenti i Rusisë, është populli i Rusisë ai që vendos gjatë zgjedhjeve”.

Në fund të fjalimit të tij në Varshavë të shtunën, Biden tha se lideri rus "nuk mund të qëndrojë në pushtet" dhe iu lut rusëve që të ngrihen kundër luftës.

“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, shtoi Biden në fund të fjalimit të tij.

Dje, udhëheqësi amerikan mohoi thirrjen për ndryshimin e regjimit në Rusi dhe tha "askush nuk beson se unë po flisja për rrëzimin e Putinit".

Rusia “do të zvogëlojë aktivitetin përreth Kievit dhe Çernihivit”

Zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Alexander Fomin, tha se Rusia do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” aktivitetin ushtarak jashtë Kievit dhe Çernihivit, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve Tass.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, ka thënë se forcat ukrainase me sukses kanë arritur të zmbrapsin nga një sërë pozicionesh ushtrinë ruse.

Megjithatë, sipas Britanisë, Rusia vazhdon të paraqesë kërcënim për Kievin, pasi mund ta sulmojë kryeqendrën ukrainase, Kiev.

Ndërkaq, qyteti verior i Çernihivit, që është i rrethuar, sipas zyrtarëve ukrainas, sot ka përjetuar sulme të reja ruse.

Zyrtarët lokalë të Çernihivit vlerësoi se 400 banorë janë vrarë që prej se ka nisur lufta.

Zhvillimet kryesore të ditës

Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, këto janë zhvillimet kryesore të ditës së 34-të të luftës në Ukrainë:

Bisedimet: Delegacionit e Ukrainës dhe Rusisë u takuan sot në Stamboll të Turqisë. Gjatë këtyre bisedimeve, Kievi ka ofruar që të miratojë një status neutral dhe të mos i bashkohet aleancave ushtarake, në këmbim të garancive të sigurisë. Po ashtu Ukraina ka thënë se dëshiron të bisedojë për statusin e Krimesë së Aneksuar. Nikoqirja e takimit, Turqia, tha se ky ishte rundi më i suksesshëm i bisedimeve që dy palët kanë zhvilluar deri më tani.

Tërheqja e Rusisë: Teksa u mbajtën bisedimet e paqes, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se “do të zvogëlojë në mënyrë drastike” aktivitetin ushtarak pranë Kievit dhe Çernihivit. Ky njoftim vjen në ditën e njëjtë kur Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar tha se ushtria ukrainase ka zmbrapsur nga një sërë pozicionesh forcat ruse.

Sulmet: Ukraina raportoi për të paktën tri viktima në Mikolajiv pas një sulmi me raketa në ndërtesën administrative të këtij qyteti. Ushtria ukrainase më herët gjatë ditës po ashtu raportoi se sulmet ruse po kanë në shënjestër depot e karburanteve në disa qytete në mbarë vendin.

Evakuimet: Kievi njoftoi se pala ruse është pajtuar që gjatë ditës së sotme të hapen tri korridore humanitare, përfshirë një në Mariupol. Ky qytet-port ukrainas, është qyteti i goditur më së keqi nga bombardimet ruse. Në këtë qytet besohet se kanë mbetur të bllokuar afër 160,000 banorë.

Zelensky bën thirrje që të vendosen sanksione më të forta ndaj Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për sanksione edhe më të forta kundër Rusisë dhe paralajmëroi se pothuajse i gjithë qyteti i rrethuar i Mariupolit është shkatërruar, në një fjalim të tijin në Parlamentin e Danimarkës, të martën.

“Ne ju kërkojmë juve dhe gjithë komunitetit demokratik në botë: Ne duhet të shtojmë sanksionet kundër Rusisë. Ne duhet të heqim dorë nga nafta ruse. Jo tregti me Federatën Ruse. Mbyllni portet për anijet ruse. Dhe kjo duhet të jetë një politikë solidariteti në Bashkimin Evropian mes të gjitha shteteve anëtare”, tha ai.

Ai shtoi se më shumë se 100,000 njerëz janë ende të bllokuar në Mariupol dhe janë të detyruar “të shkrijnë borën për të pirë ujë”.

Zelensky akuzoi forcat ruse për deportim me forcë të njerëzve, si dhe për përdhunim dhe plaçkitje, shkruan CNN.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat