Rusia teston raketën që “rrah të gjitha mbrojtjet moderne”; Zelensky me një ofertë për Putinin

Evropë

Rusia teston raketën që “rrah të gjitha mbrojtjet moderne”; Zelensky me një ofertë për Putinin

Nga: Bota sot Më: 20 prill 2022 Në ora: 06:22 Përditësuar në ora: 23:32 më 20.04.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Paralajmëron Rusia: Forcat bërthamore do të lansojnë edhe një raketë të re këtë vit

Arbnore Zhushi Arbnore Zhushi

Forcat bërthamore të Rusisë do të fillojnë të lansojnë një raketë të re ndërkontinentale në vjeshtë kur të përfundojë testimi, sipas Dmitry Rogozin, kreu i agjencisë hapësinore të vendit.

Shefi i Roscosmos u citua nga agjencia ruse e lajmeve Tass, përcjell Bota sot.

Më herët, Rusia tha se kishte testuar me sukses raketën Sarmat, me Presidentin Putin duke paralajmëruar aftësinë e saj për t'iu shmangur mbrojtjeve.

Ministria e Mbrojtjes tha se një regjiment në territorin siberian Krasnoyarsk ishte në linjë për t'u furnizuar me raketën.

Raketa ishte në zhvillim për vite me radhë, por u vonua lansimi i saj.

Sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit Amerikan, ajo pritet të vendoset me dhjetë ose më shumë koka luftarake.

Norvegjia i dhuron Ukrainës 100 raketa

Norvegjia i ka dhuruar Ukrainës rreth 100 raketa të mbrojtjes ajrore Mistral, tha Ministria Norvegjeze e Mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes, Bjørn Arild Gram, tha në një postim në Twitter se sistemi i mbrojtjes ajrore ishte “një armë efektive” dhe do të ishte një “përfitim i madh” për Ukrainën.

Raketa do të hiqet gradualisht nga forcat e armatosura norvegjeze. Vende të tjera gjithashtu kanë dhuruar sisteme të ngjashme, tha ai.

Armët tashmë janë dërguar në Ukrainë.

Kievi: 500 mijë ukrainas u deportuan në Rusi

Gjysmë milioni njerëz janë dëbuar nga Ukraina në Rusi, sipas kreut të komitetit humanitar të Ukrainës.

Mykyta Poturayev i ka kërkuar Kryqit të Kuq të përpiqet të kontaktojë me ata që janë të zhdukur, që mendohet se përfshijnë gra dhe fëmijë.

“Gjysmë milioni qytetarë ukrainas u deportuan nga Ukraina në Federatën Ruse pa marrëveshje nga ana e tyre”, tha ai.

“Fatkeqësisht nuk ka asnjë mundësi për momentin edhe për kontakt me këta njerëz”, shtoi ai.

Vdiq në Mariupol e mbijetuara e Holokaustit

Ministria e Jashtme e Ukrainës thotë se një grua e moshuar që i mbijetoi pushtimit nazist të Mariupolit në Luftën e Dytë Botërore, ka vdekur.

Vanda Obiedkova, 91 vjeç, u tha se vdiq në fillim të këtij muaji, ndërsa ishte strehuar në një bodrum pas rrethimit rus.

Në pamundësi për të pasur qasje në ujë, energji elektrike dhe ngrohje, familja po “jetonte si kafshë”, tha vajza e saj Larissa.

Vanda ishte 10 vjeç kur trupat gjermane hynë në qytetin e saj në tetor 1941.

Larissa tha se ndërsa nëna e saj iu shmang kapjes nga nazistët, nëna e Vandës ishte mes mijëra hebrenjve që u morën nga Mariupol dhe u ekzekutuan.

Duke iu referuar situatës aktuale në qytet, Larisa citohet të ketë thënë: “Mamaja e donte Mariupolin, ajo kurrë nuk donte të largohej”.

Muajin e kaluar, një tjetër i mbijetuar i Holokaustit vdiq në Kharkiv.

SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Rusisë

Shtetet e Bashkuara më 20 prill njoftuan për rundin e ri të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Sanksionet e reja kanë për shënjestër një bankë kyçe komerciale, Transkapitalbank, dhe “një rrjet global të më shumë se 40 individëve dhe entiteteve që udhëhiqen nga oligarku rus, Konstantin Malofeyev”.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se po shënjestron “kompanitë që operojnë në industrinë e monedhave virtuale së Rusisë, që raportohet se është industria e tretë më e madhe në botë”, duke theksuar se ka “shënjestruar një kompani të monedhës virtuale”. Kompania e sanksionuar është BitRiver, që merret me Bitcoin, dhe dhjetë filialet e saj në Rusi.

Përveç kësaj, Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur kufizime të vizave për “635 shtetas rusë, të cilët janë të përfshirë në shtypjen e disidencës në Rusi dhe jashtë saj, të cilët kanë qenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme që kërcënojnë integritetin territorial të Ukrainës dhe kanë qenë të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut në burgje dhe në objekte jozyrtare paraburgimi në zonat e kontrolluara nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit.

Po ashtu, Departamenti amerikan i Shtetit, ka vendosur kufizime të vizave edhe për tre zyrtarë rusë “të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe 17 individë që konsiderohen përgjegjës për minimin e demokracisë në Bjellorusi”, njoftoi Thesari amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve ndaj Rusisë, qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Në listën e sanksioneve amerikane është edhe presidenti rus, Vladimir Putin.

Lavrov bisedë telefonike me homologun turk, nga çfarë varen negociatat me Ukrainën

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu.

Në fokus të kësaj bisede ishte situata në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit të luftës.

Lavrov ka njoftuar homologun e tij turk se rezultati i negociatave me Ukrainë varet tërësisht nga gatishmëria e Kievit për të marrë në konsideratë kërkesat e Rusisë.

Në një njoftim zyrtar Ministria e Jashtme ruse bëri me dije se dy ministrat diskutuan edhe rreth situatës në qytetin port të Ukrainës, Mariupol dhe masa e mundshme që synojnë sigurimin e civilëve, përfshirë shtetas të huaj, raportojnë mediat e huaja.

Publikohet momenti kur një ushtar çeçen qëllohet në Mariupol

Putini i dërgon çeçenët në Ukrainë kryesisht për të përhapur frikë te ukrainasit.

Por, jo vetëm ushtarët rusë po vriten në Ukrainë.

Edhe mercenarët e çeçenë të kriminelit Kadyrov po pësojnë humbje të mëdha përball forcave të Ukrainës.

Siç shihet edhe në video, ddërsa një ushtar çeçen po përgatitet të gjuajë me një anti-tank drejt forcave ukrainase, ai vetë goditet nga një plumb dhe plagosët.

Pamjet +16:

Rreziqet bërthamore pas hyrjes së forcave ruse në Çernobil

Në muajin shkurt, gjatë orëve të para të sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, Moska dërgoi një numër të madh tankesh në zonën e Çernobilit ndërsa ushtarët rusë hapën llogore në tokën e kontaminuar pas aksidentit të vitit 1986, që është katastrofa më e madhe bërthamore në botë. Tani që forcat ruse janë larguar nga centrali bërthamor, ekspertët flasin mbi rreziqet dhe dëmet e shkaktuara në atë periudhë.

Ndërsa përvjetori i katastrofës së 26 prillit të vitit 1986 afron dhe sulmi i Rusisë vazhdon, është e qartë se centrali bërthamor i Çernobilit, një relik i Luftës së Ftohtë, nuk ishte gati për një situatë të tillë.

Ekspertët thonë se ushtarët rusë duke hapur llogoret në tokën e kontaminuar pranë Çernobilit, hapën varret e tyre.

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

Rusia nuk e ka faktorin kohë në Donbas!

Me fokusin e ripërtërirë të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit, ka pasur një intensifikimin e sulmeve të artilerisë dhe sulmeve ajrore gjithashtu. Rusia ka avantazhin në ajër, shkruan BBC, transmeton Bota sot.

Ajo që ne kemi parë në terren janë disa sulme hetuese nga rusët, por nuk ka pasur asnjë moment blitzkrieg, nuk ka pasur sulme rrufe, ndërsa ata u përpoqën në veri dhe dështuan.

Ata kanë marrë qytetin e Kreminës, por janë zmbrapsur diku tjetër. Ata po sulmojnë në tre fronte - në veri, lindje dhe jug - por ata nuk kanë bërë ende përparime të mëdha. Më shumë do të vijnë pa dyshim.

Por rusët nuk kanë kohë në anën e tyre. Presidenti Putin dëshiron një fitore të shpejtë këtu dhe çdo objektiv që ai ka vendosur deri më tani, ata nuk ia kanë dalë. Ata ende nuk e kanë pastruar Mariupolin.

Për momentin është një betejë artilerie dhe ajo që Ukrainës i duhet më shumë është më shumë artileri. Kjo është arsyeja pse ka pothuajse çdo ditë thirrje nga Presidenti Zelensky për më shumë armë perëndimore. Ata mund të fitojnë vetëm nëse ato flukse vazhdojnë dhe ata kanë nevojë që ato të vazhdojnë të vijnë çdo ditë.

Nëse Rusia mund të shkatërrojë artilerinë e Ukrainës, sigurisht që është e mundur që Rusia të përdorë tanket e saj për të avancuar./V.N/

Rusia lëshon një raketë balistike ndërkontinentale, dalin pamjet

Rusia zbuloi se ka lëshuar raketën e saj të re balistike ndërkontinentale Sarmat.

Raketa u lëshua gjatë një prove në Plesetsk këtë pasdite, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Tashmë janë shfaqur imazhe të tjera të testit.

Testi thuhet se kishte objektiv sulmi me raketa gadishullin Kamchatka në lindjen e largët të Rusisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat