LIVE: “Lufta kundër NATO-s”, vihen në dyshim këto gjëra – ky person paralajmëron kandidaturën për president të Rusisë!

Evropë

LIVE: “Lufta kundër NATO-s”, vihen në dyshim këto gjëra – ky person paralajmëron kandidaturën për president të Rusisë!

Nga: Bota sot Më: 11 mars 2023 Në ora: 09:43 Përditësuar në ora: 20:18 më 11.03.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Kreu i Grupit Wagner thotë se do të kandidojë për President të Ukrainës, njoftimi i tij ndërpritet disa herë - kjo është arsyeja!

Kreu i Grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin thotë se dëshiron të kandidojë për pozitën e Presidentit të Ukrainës në vitin 2024.

Lidhur me këtë rast, Anton Gerashchenko këshilltar i ministrisë së brendshme ukrainase i cili shpërndau edhe videon në Twitter të Prigozhin, tha se deklarimi i këtij të fundit synon të largojë vëmendjen nga ambiciet e tij politike në Rusi, ku ai ëndërron të vijë në pushtet dhe ndoshta të jetë pasardhësi i presidentit rus Vladimir Putin.

Në videon të cilin e kishte shpërndarë Gerashchenko, është Prigozhin ai i cili flet për planet e tij për të kandiduar për President.

“Kam vendosur të kandidoj për President të Ukrainës në vitin 2024. Do të kandidoj për zyrë me Poroshenkon dhe Zelenskyn”, thotë ai në videon e cila u përkthye edhe në gjuhën angleze.

Por derisa Prigozhin po bënte të ditur këtë lajm ai ndërpritet vazhdimisht nga bombardimet e zhurmshme në sfond, ai madje disa herë ndalet pasi krisma e fuqishme ia hup koncentrimin.

Grupin të cilin e udhëheqë Prigozhin lufton tash e sa kohë krah Rusisë në Ukrainë, dhe së fundmi kanë qarkulluar tensione mes grupit mercenar dhe Kremlinit. 

Ekspertët rusë kanë filluar të ndryshojnë mendje për “luftën kundër NATO-s” – ja çfarë thoshin dikur dhe çfarë thonë tani

Ekspertët rusë kanë filluar të vënë në dyshim qasjen e Kremlinit ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Gjatë gjithë luftës, Kremlini ka iniciuar një sërë strategjish, të tilla si një mobilizim i pjesshëm për të shtuar mijëra ushtarë në trupat ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin gjithashtu ka kërcënuar disa herë me luftë bërthamore kundër aleatëve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Media shtetërore ruse më parë i mbështeti pretendimet, por tani ekspertët kanë filluar të pyesin nëse është qasja më e mirë pasi agresioni kalon një vjetorin e tij, shkruan Newsweek.

Kështu, më 6 mars, ekspertët rusë u shfaqën në një panel me prezantuesin Vladimir Solovyov ku disa prej tyre shprehën publikisht dyshime për “aftësitë e ushtrisë ruse kundër NATO-s”.

“A mundet ushtria jonë, në gjendjen e saj aktuale, me numrin e saj aktual të njerëzve dhe me kompleksitetin ushtarako-industrial, të përmbushë qëllimet e saj – të cilat nuk kanë të bëjnë me luftën kundër Ukrainës, e cila nuk ekziston – por kundër NATO-s?”, ka pyetur Solovyov.

Më vonë në video, deputeti i Dumës së Shtetit, Andrey Gurulyov, një ish-udhëheqës në ushtrinë ruse i cili më parë ka mbështetur kërcënimin e luftës bërthamore kundër NATO-s sipas një raporti nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), iu përgjigj pyetjes së Solovyov me një ton dyshimi.

“Ne shohim qartë të gjitha mangësitë aktuale të kombit, jo të Forcave të Armatosura”, tha Gurulyov.

Madje, sipas Newsweek, Gurulyov shprehu dyshime se si Rusia mund të përgjigjet nëse NATO do të vazhdonte mbështetjen e saj për Ukrainën ose do të përfshihej më shumë në luftë.

“… Më pyesin: A mund ta mposhtim NATO-n? Nëse përdorni matematikën dhe llogaritni korrelacionin e forcave dhe mjeteve, në skenarin më të mirë, ne thjesht mund të mbrohemi”.

Qëndrimi i Gurulyov ndaj luftës bërthamore duket se ka ndryshuar në mënyrë drastike.

Në qershor, eksperti dhe aleati i Putinit u shfaq në televizionin rus dhe sugjeroi se Londra do të ishte qyteti i parë që do të goditet nga Rusia nëse do të shpërthente Lufta e Tretë Botërore.

Qeveria ruse ka kërcënuar anëtarët e NATO-s në mënyra të ndryshme, ku Newsweek raporton se Putini ka kërcënuar me luftë bërthamore të paktën 35 herë.

Megjithatë, në vend që të trembin aleatët e NATO-s që të mos mbështesin Ukrainën, mbështetja për kombin e goditur nga lufta vazhdon.

Në vend që të tërhiqen, aleatët kanë vazhduar të furnizojnë Ukrainën me fonde dhe municione për të vazhduar luftën e saj kundër Rusisë, duke përfshirë tanke, raketa dhe lloje të tjera të pajisjeve ushtarake që kanë ndikuar në mënyrë drastike në performancën e Ukrainës në fushën e betejës.

Ukraina po mendon t’i ndryshojë emrin fqinjit agresiv, Moskovia dhe jo Rusia

Ukraina mund t’i referohet Rusisë me një emër të ri, Moscovia. Presidenti Volodimir Zelensky po vlerëson një mundësi të tillë, pas një peticioni online që ka siguruar mbi 25 mijë firma e që pretendon se ky është emri historik i Rusisë.

Autori i peticionit thotë se ky emër ishte përdorur në Europë dhe në disa gjuhë aziatike e po ashtu në hartat historike mes shekujve të 16 dhe 19-të.

Aty thuhet se Rusia ekziston vetëm prej 301 vitesh, kur cari moskovit, Pjetri i Parë e shpalli mbretërinë e Moskës si Perandoria ruse. Zelensky ka ngarkuar kryeministrin Denys Shmyhal të merret me çështjen.

“Çështja e ngritur në peticion kërkon një vlerësim të kujdesshëm si në planin e kontekstit historik e kulturor, ashtu edhe duke mbajtur parasysh pasojat e mundshme ligjore ndërkombëtare. Kështu, kam udhëzuar kryeministrin dhe i kam kërkuar atij të ketë një qasje komplekse dhe të eksplorojë një mundësi të tillë” deklaroi Zelensky.

 Nuk ka vonuar përgjigja e Maria Zakharovës, zëdhënëse e ministrisë së jashtme në Rusi e cila tha se kjo ishte prova e radhës për fushatën antiruse që po ndërmerret në Ukrainë. Sipas agjencisë Ria Novosti edhe zv.presidenti i Dumës ruse, Boris Chernyshov, e ka komentuar peticionin duke pretenduar se iniciativa të tilla mund të trajtohen vetëm më buzëqeshje.

Më i ashpër ishte reagimi i zëvendës presidentit të këshillit të sigurisë në Rusi Dmitry Medvedev. “Nëse në jemi Moscova, Ukraina është Rajhu i pisët i Banderës”, tha ai, duke ju referuar liderit të nacionalistëve ukrainas Stapan Bandera. Ai e quajti Zelensky si kryenazistin e Kievit.

Ministri i brendshëm publikon raportin vjetor: Jemi sulmuar mbi 40 mijë herë nga Rusia

Rusia e ka bombarduar Ukrainën mbi 40,500 herë që nga fillimi i pushtimit në shkurtin e kaluar, sipas ministrit të brendshëm ukrainas Ihor Klymenko.

Granatimet kanë shkatërruar mbi 152,000 ndërtesa banimi që nga fillimi i luftës, deklaroi Klymenko në bazë të një raporti.

Ndërkohë që nga shkurti i vitit 2022 janë regjistruar 66.300 procedime penale për krime lufte të kryera nga forcat ruse.

Edhe pe ka kaluar një vit që prej fillimit të ofensivës ruse, Putin nuk po ndalet, madje ditët e fundit janë shtuar bombardimet.

Agresioni rus/ Ukraina nis stërvitjen për Gardën Ofensive prej 28 mijë trupash

Ukraina ka filluar të trajnojë “pothuajse të gjitha” brigadat e saj të reja sulmuese, prej 28,000 trupash, të cilët do të kenë për detyrë të rimarrë territorin e pushtuar.

Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi se e ashtuquajtura Garda Ofensive do të përdoret për të pastruar qytetet dhe fshatrat pasi ushtria do të depërtojë nëpër linjat e frontit rus.

“Ne kemi filluar stërvitjen e pothuaj të gjitha njësive në terrenet stërvitore të vendit tonë dhe jo të gjitha mund t’i rezistojnë  sprovave atje”, tha ministri Ihor Klymenko.

“Stërvitja do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të prodhuar njësi të gatshme luftarake të Gardës Kombëtare, Shërbimit të Rojës Shtetërore të Kufirit dhe Policisë Kombëtare, të gjitha këto që tani quhen Garda Ofensive”.

Ai shtoi se do të rekrutohen më shumë vullnetarë për rezervë.

Trajnimi do të zgjasë nga dy deri në katër muaj, sipas një deklarate nga llogaria e Gardës Kombëtare të Ukrainës në Facebook para pak ditësh.

“Kanë nisur më shumë se 100 sulme”, Forcat e Armatosura ukrainase paralajmërojnë: Rusia po vijon ofensivën në Bakhmut

Forcat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre në zonën përreth qytetit Bahmut të rajonit të Donjeckut, njoftoi ushtria ukrainase më 11 mars.

Ushtria ruse nisi “më shumë se 100 sulme” përgjatë vijës së frontit, duke përfshirë vendet si: Lyman, Bahmut, Avdijivka, dhe Shahtarsk, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Rusia gjithashtu raportohet se kreu 29 sulme ajrore dhe katër sulme raketore në rajonin e Donjeckut gjatë 24 orëve të fundit, tha ushtria, duke shtuar se disa civilë u plagosën dhe infrastruktura civile u dëmtua.

Raportimet nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi më 8 mars se qyteti i shkatërruar ukrainas, Bahmut, mund të bjerë në duart e rusëve në ditët në vijim, pasi ky qytet lindor për muaj të tërë po përballet me luftime intensive.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë më 7 mars se kapja e Bahmutit do të ishte hap kyç për nisjen e një ofensive më të gjerë në rajonin e Donjeckut.

Luftimet përreth Bahmutit kanë qenë luftimet më të gjata dhe më të ashprat që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Ekspertët perëndimorë kanë thënë se Bahmuti ka më pak rëndësi strategjike për Rusinë sesa rëndësi simbolike./ REL

Lufta në Ukrainë/ Bombardimet ruse vrasin tre persona dhe plagosin tre të tjerë

Bombardimet ruse në Kherson të Ukrainës kanë lënë të vdekur tre persona dhe ka plagosur tre të tjerë.

Reuters raportoi se guvernatori i rajonit Kherson, Oleksandr Prokudin, tha se tre persona, duke përfshirë një grua të moshuar, ishin plagosur gjithashtu.

“Sot pushtuesit rusë kanë goditur përsëri Kherson, pranë një dyqani, predhat vranë tre persona,” tha ai për TV ukrainas.

Ukraina e ‘ripushtoi’ Kherson në nëntor pas gati tetë muajsh pushtimi nga forcat ruse, të cilët e pushtuan atë menjëherë pas fillimit të pushtimit të tyre. Zona tani është nën bombardime pothuajse të vazhdueshme nga forcat ruse në anën e kundërt të lumit Dnieper.

Guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, tha se një person ishte vrarë dhe të paktën tre u plagosën në qytetin Kostyantynivka pas disa raundeve të bombardimeve ruse gjatë ditës.

Finlanda është e hapur për t’i dhënë Ukrainës avionë luftarakë

Mediat në Finlandë kanë raportuar se kryeministrja Sanna Marin është e gatshme të diskutojë sigurimin e avionëve luftarakë për Ukrainën.

Marin, i cili vizitoi Kievin më 10 mars, tha se Helsinki planifikon të blejë 64 avionë modernë F-35A për t’i zëvendësuar 62 avionë Hornet – të cilët, sipas saj, mund t'i jepen Ukrainës, por tha se diskutimet janë në një fazë fillestare.

Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar avionë modernë luftarakë nga aleatët e saj.

Gjatë bisedimeve në Paris më 8 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë.

"Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme - avionë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë", tha ai.

Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania u shprehëm kundër kësaj kërkese.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Gjithashtu, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë.

Por, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.

Më 6 mars, kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, tha se është në favor të furnizimit të Ukrainës me avionë luftarakë.

Në janar, Gjermania u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet që këtë muaj të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.

Në Kremlin po mendojnë të formojnë një ushtri tjetër, Putin nxjerr jashtë loje njeriun më të fuqishëm në Rusi

Pas tensioneve të rritura kohët e fundit midis kreut të ushtrisë famëkeqe private mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin, Moskës dhe ushtrisë ruse, Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) thekson në raportin e tij të fundit se Kremlini po punon tani për të krijuar një formacion të ri të armatosur ruse, por nën kontrollin e autoriteteve ruse. Thuhet se është një njësi luftarake vullnetare, e cila do të krijohej përmes gjigantit energjetik shtetëror rus Gazprom. ISW deklaron se një bloger i shquar ushtarak rus ka njoftuar se filiali i Gazprom Gazprom Neft është duke formuar një formacion vullnetar të ngjashëm me një nga grupet më të mëdha vullnetare të Rusisë, Rezervat Speciale Luftarake Ushtarake (BARS). 

Nga rruga, në fushën e betejës në Ukrainë, vullnetarët luftojnë përkrah ushtarëve të zakonshëm, rezervistëve të rekrutuar gjatë "mobilizimit të pjesshëm" dhe mercenarëve të grupit Wagner. Blogeri ushtarak fillimisht pohoi se Gazprom Neft po formonte një kompani private ushtarake (PMC), si Wagner, dhe po shpërndante në mënyrë aktive burime të paspecifikuara në rajonin e okupuar ukrainas të Donetskut, vetëm për të postuar më vonë një korrigjim se Gazprom Neft ishte një njësi vullnetare e Gazprom, jo kompani private ushtarake. 

Blogeri thekson gjithashtu se fushata e rekrutimit të Gazprom Nefta ka gjeneruar shumë interes në qytetin e Donetsk, pasi kompania ofron një pagë prej 400,000 rubla (rreth 5,260 dollarë) në muaj dhe bonuse shtesë të performancës.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

Bombarduesit amerikanë mbi qiejt e Mesdheut, zbardhet operacioni “top-sekret” nga SHBA, Putin merr paralajmërimin e fortë

Një operacion top-sekret. Dy bombardues B-52 fluturuan mbi vendet e Detit të Zi, të cilat ishin më të ekspozuara ndaj rrezikut nga Kremlini për disa orë pasi rusët nisën një ofensivë raketore kundër Kievit. Sipas raporteve nga La Repubblica, ishte një mision i porositur nga Shtetet e Bashkuara për të siguruar aleatët dhe paralajmëruar Vladimir Putin, i cili përdori gjashtë armë supersonike kundër të cilave nuk ka mburoja efektive kundërajrore.

"Dy bombarduesit, në fakt i mbajtën transmetuesit e pozicionit të tyre të ndezur, diçka që avionët ushtarakë përgjithësisht nuk e bëjnë: një zgjedhje që i lejonte të gjithë të ndiqnin lëvizjet e tyre drejt konfliktit të zonës," shpjegoi Gianluca Di Feo në La Repubblica. Ndër të tjera, B-52, të cilët u ngritën nga baza spanjolle e Moron de La Frontera, fluturuan edhe mbi Itali: kaluan nëpër Palermo, Kalabri dhe Salento për të vazhduar më pas drejt Bullgarisë dhe Rumanisë. Më në fund ata iu afruan kufirit të Ukrainës dhe Moldavisë dhe u kthyen duke kaluar mbi Toskanën. 

Lëvizjet e amerikanëve

"Që nga fillimi i pushtimit rus ka pasur të paktën dy misione të tjera bombarduese 'të dukshme': me atë rast atyre iu bashkuan avionë luftarakë nga vendet e NATO-s që fluturonin mbi, një shenjë se këto ishin operacione të planifikuara paraprakisht. Ky i fundit ishte një ekspeditë e vetmuar, një rrethanë që sugjeron një nismë të vendosur në momentin e fundit në përgjigje të ofensivës ruse”, kujton Di Feo.

Italia në alarm

Lëvizjet e amerikanëve vijnë në një moment, ku Italia ka dhënë javët e fundit alarmin për situatën në Mesdhe. “Ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të anijeve ruse në Mesdhe, siç nuk është parë që prej Luftës së Ftohtë.” Alarmin e jep kreu i marinës italiane, Enrico Credendino, sipas të cilit sjellja e Moskës po bëhet në mënyrë të pazakontë, më agresive.

“Numri i anijeve ruse në Mesdhe është rritur. Edhe pse nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë në ujërat tona territoriale, mjafton për të kuptuar se tensionet po shtohen. Rusët po shfaqin një sjellje agresive që më parë ka qenë e dukshme në Balltik, por jo në Mesdhe. Ekziston rreziku për incidente të mundshme dhe kur ndodh një incident të kësaj natyre, nuk dihet kurrë se si mund të përfundojë”, tha Credendino pak ditë më parë.

Gjatë dëshmisë në Komisionin e Mbrojtjes të parlamentit Italian, ai paralajmëroi se Moska po e rrit praninë edhe në Detin Jon, duke mos përjashtuar edhe këtu rrezikun e incidenteve e përplasjeve.

“Mesdheu ka fluks të madh, dhe ekuilibri aty është i paqëndrueshëm. Nuk ishin parë ndonjëherë katër grupe avionë-mbajtësish të aleatëve: një italian, një francez, një amerikan dhe anije amfibe spanjolle. Rusët nuk e kanë të vështirës të arrijnë deri në Jon dhe të mësyjnë me tre anije moderne. Anija më moderne e Rusisë, ndodhet aktualisht në Afrikën e Jugut dhe zotëron raketa hipersonike, të cilat nuk e dimë nëse janë efikase ose jo, por këtë do ta shohim. Ajo anije mund të hyjë në Mesdhe. Situata është komplekse dhe rreziku i lartë”, shtoi kreu i marinës italiane.

Provokimi i dy anijeve ruse

Nga ana tjetër, pak ditë më parë dy anije ruse u futën në një zonë mes Kalabrisë dhe ishullit të Korfuzit, pak milje larg brigjeve të Shqipërisë. Duket se tashmë tensioni mes Rusisë dhe vendeve perëndimore nuk kufizohet më vetëm në fushëbetejën e Ukrainës por edhe në detin Mesdhe. Italia ngriti në fluturim avionët e saj P-72 për të monitoruar situatën nga lart. 

Njëra prej anijeve ka ardhur nga oqeani Atlantik dhe bëhet fjalë për anijen ‘Kola’ ndërsa tjetra është një anije korvetë raketahedhëse që ndodhej në bazën ruse të Tartous në Siri.

Sipas medias italiane, ‘La Republica’, analistët thonë se me shumë mundësi anijet po ndjekin nga afër aeroplan-mbajtësen amerikane “Bush” që në këto momente gjendet mes brigjeve të Pulias në Itali dhe Shqipërisë. Në afërsi të Sicilisë, dy anije të tjera të Moskës janë të pranishme prej javësh, ku njëra prej tyre është luftanija ‘Admiral Kasatanov’, një nga më modernet e flotës ruse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat