LIVE: “Ky është fundi i Putinit”, ja shtetet ku mund të fshihet kreu i Wagnerit – vjen paralajmërimi i fortë nga Amerika!

Evropë

LIVE: “Ky është fundi i Putinit”, ja shtetet ku mund të fshihet kreu i Wagnerit – vjen paralajmërimi i fortë nga Amerika!

Nga: Bota sot Më: 25 qershor 2023 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 09:24 më 25.06.2023
Vladimir Putin

Si erdhi deri te armiqësia ndërmjet forcave mercenare Wagner dhe ushtrisë ruse

Kreu i forcës mercenare të Wagner të Rusisë, Yevgeny Prigozhin, pretendoi se forcat e tij kanë hyrë në Rusi për të larguar udhëheqjen më të lartë ushtarake të vendit.

Shefi i Wagner të shtunën theksoi se forcat e tij kishin kontrollin e vendeve ushtarake në qytetin jugor të Rostov-on-Don – qytet nga ku shtabi ushtarak mbikëqyr luftimet në Ukrainë.

Dhe pamje të postuara në mediat sociale tregonin automjete ushtarake, duke përfshirë tanke, në rrugë.

Në anën tjetër, presidenti rus Vladimir Putin dënoi rebelimin, duke thënë se ishte “një thikë në shpinë të vendit tonë dhe popullit tonë”.

Të gjithë ata që përgatitën rebelimin do të vuajnë dënimin e pashmangshëm. Forcat e armatosura dhe agjencitë e tjera qeveritare kanë marrë urdhrat e nevojshëm”, tha Putin në një fjalim televiziv drejtuar kombit të shtunën.

Veç kësaj, shërbimet ruse të sigurisë thanë se kishin hapur një hetim penal ndaj Prigozhin për nisjen e asaj që ata e përshkruajnë si një kryengritje.

Ndërkohë shefi i Wagner vuri gjithashtu në dyshim versionin zyrtar të Kremlinit se pse Rusia pushtoi Ukrainën.

Për muaj të tërë, Prigozhin ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe gjeneralin më të lartë të Rusisë, Valery Gerasimov, për paaftësi, por kjo ishte hera e parë që ai hodhi poshtë justifikimet thelbësore të Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

“Ministria e Mbrojtjes po përpiqet të mashtrojë shoqërinë dhe presidentin dhe të na tregojë një histori se si kishte agresion të çmendur nga Ukraina dhe se ata po planifikonin të na sulmonin me të gjithë NATO-n”, tha Prigozhin në një videoklip të publikuar në Telegram nga shërbimi i tij për shtyp të premten.

Operacioni special filloi për arsye të ndryshme”, shtoi ai.

Por sipas tij, “lufta ishte e nevojshme … që Shoigu të bëhej marshall, … që të mund të merrte një medalje të dytë ‘Hero’ [të Rusisë]. Lufta nuk ishte e nevojshme për të çmilitarizuar apo denazifikuar Ukrainën”.

Ja çfarë dimë për qëllimet e deklaruara të Prigozhin:

Çfarë tha Prigozhin?

Prigozhin postoi një seri video dhe audio regjistrimesh të premten, në të cilat ai akuzoi ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu se urdhëroi një sulm me raketa në kampet fushore të Wagner-it në Ukrainë, ku trupat e tij po luftojnë në emër të Rusisë.

Kështu, Prigozhin tha se trupat e tij tani do të ndëshkonin Shoigu në një rebelim të armatosur dhe i kërkoi ushtrisë ruse të mos bënte rezistencë.

“Ky nuk është një grusht shteti ushtarak, por një marshim drejtësie”, kishte pretenduar Prigozhin.

Por Ministria ruse e Mbrojtjes ka mohuar kryerjen e sulmit me raketa.

Ndërsa Komiteti Kombëtar i Antiterrorizmit i Rusisë, i cili është pjesë e Shërbimit Federal të Sigurisë, ose FSB, tha se shefi i Wagner do të hetohej me akuzën e thirrjes për një rebelim të armatosur.

FSB i quajti deklaratat e Prigozhin të premten një “thikë pas shpine për trupat ruse” dhe tha se ato përbënin nxitje të një konflikti të armatosur brenda Rusisë.

Madje FSB u kërkoi luftëtarëve të Wagner-it të arrestonin Prigozhin dhe u tha atyre të refuzonin të ndiqnin “urdhrat e tij kriminale dhe të pabesë”.

Ndërkohë policia e trazirave dhe Garda Kombëtare e Rusisë janë përpjekur të forcojnë sigurinë në objektet kryesore në Moskë, duke përfshirë agjencitë qeveritare dhe infrastrukturën e transportit, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Cila është “baza e mosmarrëveshjes” së Prigozhin me ushtrinë ruse?

Prigozhin pretendoi se ka merita të plota në janar për pushtimin e qytetit të Soledarit të minierave të kripës në rajonin Donetsk në Ukrainë dhe akuzoi ministrinë ruse të mbrojtjes se po përpiqej të vidhte lavdinë e Wagnerit.

Ai është ankuar vazhdimisht se ushtria ruse nuk arriti të furnizonte Wagner me municion të mjaftueshëm për të pushtuar Bakhmutin dhe kërcënoi se do të tërhiqte njerëzit e tij.

Luftëtarët e supozuar se ishin mercenarë të Wagner-it në Ukrainë regjistruan një video që mallkonte kreun e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjeneralin Valery Gerasimov, dhe e akuzoi atë për dështim në sigurimin e municioneve.

Prigozhin gjithashtu ka veçuar Shoigun me kritika ndërsa akuzonte udhëheqësit ushtarakë rusë për paaftësi.

Dikur një figurë e errët e biznesit me lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, Prigozhin ka ngritur gjithnjë e më shumë profilin e tij publik, duke u mburrur pothuajse çdo ditë për fitoret e supozuara të Wagner-it, duke u tallur me armiqtë e tij dhe duke u ankuar për udhëheqësit ushtarakë të Rusisë.

Kremlini thotë se udhëheqësi i grupit Wagner do të shkojë në Bjellorusi

Kremlini tha se shefi i mercenarëve të gripit Wagner, Yevgeny Prigozhin do të shkojë në Bjellorusi, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, për t'i dhënë fund një kryengritjeje të armatosur, që Prigozhini drejtoi kundër udhëheqjes ushtarake të Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Lukashenko kishte ofruar të ndërmjetësonte, me pajtimin e presidentit rus Vladimir Putin, sepse ai e njeh Prigozhinin personalisht për rreth 20 vjet.

Zëdhënësi Peskov tha se çështja penale që ishte hapur kundër Prigozhinit për kryengritje të armatosur do të rrëzohet dhe luftëtarët e grupit Wagner që kishin marrë pjesë në "marshimin e tij për drejtësi" nuk do të përballen me asnjë veprim, në shenjë njohjeje të shërbimit të tyre të mëparshëm për Rusinë.

Luftëtarët që nuk morën pjesë në zhvillimet e së shtunës do të nënshkruajnë kontrata me ministrinë e Mbrojtjes, e cila ka kërkuar të vërë nën kontrollin e saj të gjitha forcat autonome vullnetare, deri më 1 korrik.

Edhe pse presidenti rus Vladimir Putin më herët ishte zotuar të ndëshkonte ata që morën pjesë në kryengritje, zëdhënësi Peskov tha se marrëveshja kishte "qëllim më të lartë" për të shmangur konfrontimin dhe gjakderdhjen.

Peskov nuk pranoi të thoshte nëse Prigozhinit i ishte bërë ndonjë lëshim, përveç garancive të sigurisë për të dhe për njerëzit e tij, për ta bindur që t’i tërheqë të gjitha forcat e tij.

Yevgeny Prigozhin kishte kërkuar më parë që atij t'i dorëzoheshin ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov.

I pyetur nëse do të ketë ndryshime personeli në ministrinë ruse të Mbrojtjes si rezultat i marrëveshjes, zëdhënësi Peskov tha se “këto çështje janë kompetencë e Komandantit Suprem (V.Putin) në përputhje me kushtetutën e Federatës Ruse”.

Mercenarët e grupit Wagner, ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës kur u urdhëruan të ndalonin dhe të ktheheshin mbrapa, mbrëmjen e së shtunës.

“Tani ka ardhur momenti kur mund të derdhet gjak. Duke e kuptuar që do të derdhet gjaku rus, ne po e kthejmë autokolonën mbrapsht dhe po kthehemi në kampet fushore siç ishte planifikuar”, tha zoti Prigozhin, por nuk tha nëse Kremlini i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Njoftimi për tërheqjen pasoi negociatat e presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko, një aleat i vendosur i presidentit rus, duke i dhënë fund sfidës më të rëndësishme për presidentin Putin në më shumë se dy dekada sa është në krye të Rusisë.

Përballje titanësh! Zbulohet sa trupa ka Wagner në krahasim me ushtrinë ruse

Udhëheqësi i tij, Yevgeny Prigozhin ka bërë thirrje për rebelim dhe trupat e grupit po shkojnë në veri drejt Moskës.

Grupi vlerësohet të ketë rreth 25,000 ushtarë, një shifër e përdorur nga Prigozhin të premten.

Në janar, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi se grupi Wagner komandonte deri në 50,000 trupa, megjithatë rreth 20,000 prej tyre thuhet se janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë.

Nga ana tjetër ushtria ruse ka rreth 800,000 ushtarë aktivë.

Forca dikur vlerësohej në më shumë se një milion ushtarë, megjithatë mendohet të ketë pësuar të paktën 220,000 viktima gjatë luftës në Ukrainë.

Rusia mendohet të ketë rezervë edhe 250,000 anëtarë të tjerë të shërbimit.

Ndaloi grushtin e shtetit, vjen reagimi për herë të parë i Prigozhin

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin ka reaguar pas vendimit për të ndaluar grushtin e shtetit.

Prigozhin deklaroi se ka urdhëruar forcat e tij të ndalojnë marshimin drejt Moskës dhe të tërhiqen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Yevgeny Prigozhin tha se njerëzit e tij ishin vetëm 200 kilometra larg Moskës, por vendosi t’i kthente ata për të shmangur “gjakderdhjen ruse”.

Ai nuk tha nëse Moska i është përgjigjur kërkesës së tij për të shkarkuar ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Ndaloi grushtin e shtetit vetëm pak km larg Moskës, zbulohet kushti që Prigozhin i vuri Putinit për t’u tërhequr

Informacione të reja po dalin në dritë rreth vendimit të udhëheqësit të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, për ndalimin e marshimit drejt Moskës vetëm 200 km larg.

Sipas mediave ruse, Prigozhin pranoi të tërhiqej me kusht të “largonte” ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Valery Gerasimov nga postet e tyre.

Gjithnjë e më shumë mediat ruse po flasin për dorëheqjen e afërt të Shoigu dhe Gerasimov pas marrëveshjes Prigozhin-Moskë.

Lexo edhe: “Nuk do gjakderdhje ruse”, ndalet Wagneri - Bideni flet me Macronin, Sunakun e Steinmeier për situatën në Rusi

Gjithashtu theksohet se Alexei Dumin, guvernator i provincës Tula, i autorizuar nga Kremlini, ka marrë pjesë në negociatat me liderin e Wagner. Ultimatumi që ai u dërgoi atyre ishte që ata të harrojnë se mund të lëvizin drejt Moskës dhe në këmbim do të ketë garanci sigurie të organizatës paraushtarake si dhe premtimin për zgjidhjen e ngërçit me Shoigu dhe Gerasimov.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat