Javët e fundit, të paktën dy dronë kanë goditur disa ndërtesa në “zemër të Moskës”, një shenjë se Ukraina është gjithnjë e më e gatshme ta çojë luftën drejtpërdrejt në Rusi. Fillimisht Kievi ishte më pak i prirur të pranonte përgjegjësinë në lidhje me këto lloj sulmesh në tokën ruse, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe Kievi mesa duket dëshiron të dërgojë një mesazh dhe dëshiron që Moska të dijë se kush po e sulmon. Ajo po përpiqet të rrisë koston e luftës dhe ta bëjë atë më të dukshme për popullin rus, veçanërisht për elitën, të cilët kanë qenë kryesisht të izoluar nga pasojat e pushtimit rus. Kievi po lë të kuptohet se futja brenda Rusisë mund të bëhet pjesë e strategjisë së saj më të gjerë për t'iu kundërvënë Kremlinit. Nuk është e qartë se sa ndikim do të ketë mbi Rusinë, apo në fushën e betejës dhe kundërsulmin e vazhdueshëm të Ukrainës. Por në fund të fundit mesazhet kanë rëndësi në luftë. Dhe sulmet në zemër të Moskës, shpërthimet e fabrikave, mbyllja e hapësirës ajrore, nuk mund të ishin mesazh më i qartë se kaq.
Mbyllja e hapësirës ajrore
Së fundmi, sipas burimeve të autoritetit të aviacionit civil, RIA Novosti raporton se hapësirat ajrore të aeroporteve Vnukovo në Moskë dhe Kaluga janë mbyllur. Masa, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, u miratua për të garantuar sigurinë e fluturimeve civile. Pak më parë, megjithatë, ishte raportuar se aeroporti Vnukovo do të mbyllej përkohësisht për shkak të pranisë së një droni. Më herët, aeroporti Vnukovo tha se ishte detyruar të pezullonte të gjitha fluturimet "për arsye jashtë kontrollit të aeroportit", duke shtuar se disa fluturime ishin ridrejtuar në aeroporte të tjera në rajonin e Moskës. Nuk dha asnjë informacion të mëtejshëm. Fluturimet rifilluan më vonë në të dy aeroportet Vnukovo dhe Kaluga. Sulmet ajrore me dron thellë brenda Rusisë janë shtuar që kur një dron u shkatërrua mbi Kremlin në fillim të majit. Zonat civile të kryeqytetit u goditën më vonë në maj dhe një zonë biznesi në Moskë u shënjestrua dy herë në tre ditë në fillim të këtij muaji. Rusia tha të enjten se kishte rrëzuar 13 dronë ukrainas që kërkonin të sulmonin Moskën dhe gjithashtu qytetin më të madh në Krime, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në 2014. Ditët e fundit, anijet ukrainase të pilotuara nga distance, kanë sulmuar një cisternë ruse të karburantit dhe një bazë të marinës në portin rus Novorossiysk në Detin e Zi.
Hakmarrja ruse
Ndërkohë, shqetësimi po rritet për Zaporizhzhinë, tashmë të bombarduar nga rusët. Sipas informacioneve paraprake, sulmi me raketa të enjten më 10 gusht në qytetin ukrainas goditi një hotel që përdorej shpesh nga stafi i Kombeve të Bashkuara dhe operatorët e OJQ-ve. "Jam tronditur kur dëgjoj se një hotel i përdorur shpesh nga stafi i OKB-së dhe kolegët tanë të OJQ-ve që mbështesin njerëzit e prekur nga lufta është prekur nga një sulm rus në Zaporizhzhia," tha koordinatorja humanitare e OKB-së në Kiev, Denise Brown. “Kam qëndruar në këtë hotel sa herë që kam vizituar Zaporizhzhia”, shtoi ai. "Numri i sulmeve pa dallim që kanë dëmtuar infrastrukturën civile dhe kanë vrarë e plagosur civilë ka arritur një nivel të pabesueshëm." Siç kujton Brown, kjo është "një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar". Prandaj kërkesa për Rusinë që " të ndërpresë menjëherë sulmet pa dallim kundër Ukrainës". Por hoteli nuk është i vetmi vend i sulmuar nga rusët, pasi u raportua se një raketë goditi një prej spitaleve të fëmijëve në kryeqytet dhe zbulimin e shenjave të goditjeve të identifikuara në dy vende të tjera në lagjen Obolon të Kievit.
Batalioni vdekjeprurës
Sakaq, ushtarët e forcave speciale ukrainase në batalionin elitar "Shaman" të Kievit po punojnë brenda territorit rus për të hequr qafe disa nga komandantët e lartë të Moskës, sipas një raporti të ri. Luftëtarët në batalion kanë "kaluar kufirin rus për të goditur bazat ajrore dhe për të vrarë komandantët e lartë të ushtrisë së Kremlinit," shkroi Maxim Tucker i “The Times” në X, i njohur më parë si Twitter. Batalioni mendohet se ka punuar kundër ushtrisë së Moskës për thuaje një dekadë, duke përfshirë disa operacione në Krime dhe territore të tjera.