Së paku tre të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë
Rusia i ka kryer një sërë sulmesh raketore në Kiev edhe në qytetet e tjera ukrainase gjatë mëngjesit të 7 shkurtit, duke i vrarë së paku tre civilë dhe duke i plagosur 14 të tjerë, përfshirë një grua shtatzënë, thanë zyrtarët ukrainas.
Disa pjesë të kryeqytetit kanë mbetur pa rrymë, si pasojë e sulmeve, thanë zyrtarët.
Një sërë shpërthimesh u dëgjuan në Kiev gjatë sulmit, i cili është i pari në muajin shkurt. Mbrojtja ajrore u angazhua për t’i shkatërruar raketat ruse, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitscho, në Telegram.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se dy njerëz u vranë në Kiev si pasojë e sulmeve.
Një burrë u vra në Mikolaiv, një qytet në jug të Ukrainës, ku rreth 20 ndërtesa banimi dhe infrastruktura publike u dëmtuan nga sulmet, tha guvernatori rajonal Vitali Kim.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se i vërejtën dhe shkatërruan 44 dronë dhe raketa nga 64 sa Rusia i shkrepi gjatë sulmit të mëngjesit.
Në gjithë Ukrainën u lëshuan sirena rreth orës 6 të mëngjesit, kur Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruar në Telegram për mundësinë e sulmeve raketore ruse nëpër vend.
Shpërthimet e para u dëgjuan pak para orës 7 të mëngjesit në Kiev.
“U frikësova kur u lëshuan sirenat, dhe ne erdhëm këtu me vrap”, tha për Reuters Tetyana, një 49-vjeçare që po strehohej në qendër të Kievit.
“Shpresoj se ata do t’i rrëzojnë të gjitha [raketat]. Lutem për mbrojtjen tonë”, shtoi ajo, derisa i përqafonte mbesën e vet dyvjeçare dhe një qen të vogël.
Kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, DTEK, tha se qarku i Dniprovskit mbeti pa energji elektrike pjesërisht. Klitschko tha se rënia e copëzave të raketave të rrëzuara ruse i dëmtoi disa linja të energjisë elektrike.
Oleh Synehubov, guvernatori i rajonit të Harkivit në verilindje të Ukrainës, tha se raketat ruse e goditën infrastrukturën joresidenciale në qytetin e Harkivit, administratën qendrore të këtij rajoni.