Pak ditë pasi trupat ukrainase pushtuan papritur një pjesë të rajonit Kursk të Rusisë, presidenti Vladimir Putin u tha zyrtarëve rusë të mbrojtjes se qëllimi i tyre kryesor ishte zmbrapsja e pushtimit, por gjashtë muaj më vonë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Rusët njoftuan sot se ukrainasit kanë nisur një ofensivë të re në Kursk. Sipas blogerëve ushtarakë rusë, forcat ukrainase sulmuan në juglindje të Sudzha, duke përparuar drejt vendbanimeve Fanaseyevka dhe Ulanok.
Gjatë gjashtë muajve që nga fillimi i operacionit të ushtrisë ukrainase në Kursk, humbjet totale të ushtrisë ruse arritën në rreth 40 mijë njerëz, duke përfshirë më shumë se 16 mijë të vrarë, sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Rusia u detyrua gjithashtu të kërkonte ndihmë nga Koreja e Veriut, e cila dërgoi 12 mijë ushtarë të saj në Kursk, sipas Ukrinform.
"Humbjet totale të kontingjentit të Koresë së Veriut arritën në rreth 4000 persona. Nga tri brigadat nominale të Koresë së Veriut, njëra u shkatërrua plotësisht, ndërsa dy të tjerat humbën aftësinë e tyre luftarake. Si rezultat, njësitë e Koresë së Veriut u tërhoqën nga fusha e betejës", thuhet në deklaratë.
Sipas shërbimeve të inteligjencës ukrainase dhe perëndimore, ushtarët e Koresë së Veriut nuk janë parë në fushëbetejat në Kursk për javë të tëra.
Dështimi i Putin për të zmbrapsur Ukrainën në Kursk mund të fitojë rëndësi teksa homologu i tij amerikan Donald Trump përpiqet të negociojë një fund të luftës. Ndërsa trupat ruse vazhdojnë të avancojnë në fushën e betejës në Ukrainën lindore, Kievi ka një mjet negocimi, falë përparimit në Kursk, për një shkëmbim të mundshëm territori në çdo negociatë, shkruan Bloomberg.
Pushtimi i parë i territorit rus nga një ushtri e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore është një pengesë personale për Putin, i cili në shtëpi kultivon imazhin e një sundimtari të fortë që mbron interesat e kombit. Kremlini ka kërkuar të minimizojë krizën që kur forcat ukrainase kaluan kufirin më 6 gusht 2024 dhe kapën 1250 kilometra katrorë territor, duke përfshirë qytetin Sudzha dhe dhjetëra fshatra.
Trupat ruse, ndërkohë, kanë rifituar vetëm rreth gjysmën e atij territori me ndihmën e mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut. Vlerësimet perëndimore pretendojnë se rreth 11 mijë ushtarë të Koresë së Veriut ishin të angazhuar në Kursk, nga të cilët rreth 4 mijë u vranë ose u plagosën.
"Në përgjithësi, efektiviteti i operacioneve ushtarake është më i ulët se sa pritej. Sistemi nuk ishte veçanërisht i përgatitur - as për humbjen e territorit dhe as për një betejë kaq të gjatë," tha Mikhail Vinogradov, kreu i Fondacionit të Politikës në Shën Petersburg.
Luftimet po zhvillohen në një zonë relativisht të kufizuar të rajonit Kursk, një pjesë e vogël e vendit më të madh në botë, që përfshin 11 zona kohore. Megjithatë, inkursioni i Ukrainës në një rajon prej rreth një milion banorësh, afërsisht sa Belgjika, tronditi rusët dhe ekspozoi pasojat e luftës që filloi Putin.
“Ky është një operacion shumë i rëndësishëm, i cili do të shihet kur të arrijmë një zgjidhje diplomatike të luftës”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev të mërkurën, duke shtuar se situata në Kursk është e qëndrueshme dhe Rusia nuk do të jetë në gjendje t’i zmbrapsë forcat ukrainase në një të ardhme të afërt.
Kremlini e trajton Kursk si një problem rajonal dhe jo kombëtar, që do të thotë se nuk ka nxitim, sipas Nikolai Petrov, një këshilltar në institutin Chatham House me qendër në Londër.
Zelensky tha menjëherë pas fillimit të operacionit se qëllimi ishte krijimi i një zone tampon për të mbrojtur komunitetet kufitare nga sulmet ruse.
Komandantët ushtarakë ukrainas kërkuan gjithashtu të lehtësonin presionin në frontin ukrainas duke e detyruar Moskën të ridislokojë trupa për të mbrojtur Kursk. Megjithëse operacioni Kursk nuk e ndaloi avancimin rus në Ukrainën lindore, dhe Kremlini dërgoi mijëra trupa për të rimarrë kontrollin e rajonit.
Megjithatë, në konferencën e tij vjetore për shtyp në dhjetor, Putin, i pyetur nga një banor i Kurskut se sa kohë do t'i duhej Rusisë për të dëbuar trupat ukrainase, u përgjigj: "Nuk mund dhe nuk dua të jap një datë specifike".
Kjo mund të rëndojë Putin pasi Trump i bën presion atij që të fillojë negociatat për t'i dhënë fund luftës dhe kërcënon me sanksione të reja nëse ai refuzon.
Rusia aktualisht kontrollon afërsisht një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë Krimenë, të cilën Putin e aneksoi në 2014.