Në Beograd, raportohet se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka organizuar një kundërprotestë ndaj studentëve, të cilët për muaj të tërë po e kundërshtojnë qeverinë serbe lidhur me tragjedinë e Novi Sadit.
Analistët në Beograd thonë se kjo është një përpjekje e pushtetit për të minimizuar ndikimin e protestave studentore, duke përdorur një grusht njerëzish. Ndërsa studentët nga e gjithë Serbia marshojnë drejt Beogradit për protestën masive të 15 marsit.
Pranë Presidencës është ngritur një kamp i studentëve të përkrahur nga pushteti. Në Parkun Pionir, me mbështetjen e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe simpatizantëve të Partisë Progresive Serbe, janë vendosur tenda dhe tavolina. Ata e quajnë veten "studentë që duan të mësojnë", duke theksuar se kërkojnë kthimin në fakultete dhe kundërshtojnë protestat studentore që kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad.
Studentët që e quajnë veten "Studentë 2.0" refuzojnë të flasin për mediet e pavarura, por mediet pro-qeveritare publikojnë mesazhet e tyre, ku ata theksojnë se kërkojnë të drejtën për t'u arsimuar pa ndërprerje.
Parku është rrethuar dhe aty organizohen aktivitete, ndërsa disa qytetarë sjellin ushqim për të pranishmit. Përveç studentëve, në kamp ka edhe të moshuar që thonë se kanë ardhur për mbështetje.
"Mbështes këtë nismë, mbështes Vuçiqin. Fëmijët duhet të kthehen në shkolla dhe të jetojmë normalisht", tha një qytetare.
"Të gjithë së bashku, studentë dhe prindër, duhet të qëndrojmë deri në fund", tha një qytetare tjetër.
Kjo kundërprotestë e organizuar nga pushteti, sipas analistëve, është një përpjekje për të zvogëluar rëndësinë e protestave antiqeveritare.
Aksioni vjen pak para demonstratës së madhe studentore të shtunën, e cila konsiderohet si një moment kyç në krizën politike në Serbi.
Për këtë protestë u diskutua edhe në mbledhjen e Qeverisë, ku ishte i pranishëm presidenti Vuçiq. Siç raportohet, u analizuan aspektet e përgjithshme të protestës së paralajmëruar.
Në Serbi ekziston frika e destabilizimit të situatës, pasi qeveria po organizon kundër-mitingje, të cilat mund të përshkallëzojnë tensionet në prag të protestës së madhe studentore në Beograd.