Para tubimit të 15 marsit në Beograd, studentët kërkojnë paqe, autoritetet paralajmërojnë dhunë

Evropë

Para tubimit të 15 marsit në Beograd, studentët kërkojnë paqe, autoritetet paralajmërojnë dhunë

Më: 12 mars 2025 Në ora: 15:26
Foto ilustrim

E shtunë, 15 mars - dita kur përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë parashikojnë “dhunë të madhe”, kurse studentët protestues thonë se është momenti kur “Serbia duhet të jetë në Beograd, në tubimin më masiv ndonjëherë”.

Studentët theksojnë se nuk janë të dhunshëm dhe nuk bëjnë thirrje për dhunë.

Ata kanë bllokuar universitetet shtetërore që prej muajit dhjetor dhe kanë udhëhequr protesta paqësore në të gjithë Serbinë.

Kërkesë e tyre kryesore është përgjegjësia politike dhe penale për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Tani, ata paralajmërojnë një tubim të madh në Beograd. Dhe, ky tubim është bërë disa herë temë diskutimesh e përfaqësuesve të Qeverisë në Serbi.Në një prej fjalimeve të fundit, presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi “dhunë” dhe “arrestime”.

Pa sjellë ndonjë provë apo detaj, ai tha se pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe më 15 mars” dhe se “të gjithë ata që marrin pjesë në të, do të arrestohen”.

Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Bojan Vraniq, thotë se “nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë parashikon dhunë në ngjarje të caktuara”.

“Nuk është e pazakontë që të hamendësohet saktësisht se çfarë do të ndodhë. Prandaj, ky parashikim duhet të merret shumë seriozisht”, thotë Vraniq për Radion Evropa e Lirë.

Zyra e Presidentit të Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se në cilat informacione i mbështet Vuçiq pretendimet dhe parashikimet e tilla.

“Nuk do të habitesha nëse do të kishte trazira. Nuk mund të pretendoj se do të provokoheshin artificialisht, sepse, për fat të keq, autorët [e trazirave gjatë protestave] nuk janë zbuluar deri më tani. Edhe nëse janë zbuluar, në përgjithësi, nuk kemi pasur ndonjë situatë në të cilën kemi mundur t’i zbulojmë motivet”, thotë Vraniq.

Çfarë do të thotë 15 marsi për pushtetin?

Sipas interpretimit të autoriteteve serbe, protesta e paralajmëruar për 15 mars në Beograd, është “Dita D”.

Ata që bënë thirrje për tubim, nuk e cilësuan atë ditë si ndonjë “pikë kthese” në protestat dhe bllokadat e studentëve, që vazhdojnë prej muajsh.

Tubimet masive të organizuara nga studentët në disa qytete të mëdha të Serbisë, kanë qenë paqësore.

Në një nga fjalimet e tij, një javë para tubimit të paralajmëruar, Vuçiq tha se autoritetet “do t’ua thërrasin fundin” protestave në atë ditë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 10 mars, Vuçiq mori pjesë edhe në një seancë të Qeverisë së Serbisë, në të cilën, siç tha, “është diskutuar për aspektet e përgjithshme të protestës së paralajmëruar të 15 marsit”, por nuk dha detaje.

Në të njëjtën ditë, ai u shfaq në Radio Televizionin e Serbisë, ku parashikoi se “do të bëhen krimet më të rënda kundër Republikës së Serbisë”.

Ai, gjithashtu, u kërkoi “të rinjve të mos marrin pjesë në dhunë” dhe i paralajmëroi ata se disa përfaqësues të opozitës “duan t’i përdorin për qëllimet e tyre të pista politike”.

Pse vihet theksi tek opozita?

Përpos në deklaratat e Qeverisë së Serbisë, përfaqësuesit e opozitës në këtë vend nuk përmenden si organizatorë të protestave.

Tubimi në Beograd u thirr nga studentët protestues gjatë një mitingu masiv në Nish, më 2 mars.

“Që atëherë, anëtarët e Partisë Përparimtare Serbe [në pushtet], përkatësisht zyrtarë të lartë, janë përpjekur ta formësojnë protestën si një protestë opozitare, ta lidhin atë me një lloj përpjekjeje për revolucion me ngjyra, sepse ky është terreni që votuesit e tyre e kuptojnë”, thotë profesori Vraniq.

Nga akuzat për tentativë për “revolucion me ngjyra” deri te thirrjet për dialog dhe kërcënimet për kundërrevolucion - qëndrimi i autoriteteve në Serbi ndaj protestave të studentëve ka ndryshuar muajve të fundit.Vraniq thotë se pas një sërë sulmesh fizike kundër studentëve në protesta dhe bllokada, “autoritetet kanë qenë në një fazë pasive” kur është bërë fjalë për qëndrimin e tyre ndaj rebelimit akademik.

Ka pasur, po ashtu, thirrje për negociata me komunitetin akademik. Por, Vraniq beson se kjo strategji nuk e ka pasur efektin e dëshiruar.

“Studentët qëndruan parimorë dhe thanë jo, ne i kemi kërkesat tona dhe kur t’i plotësoni, protestat dhe bllokadat do të ndalen”, thotë Vraniq.

Kjo është arsyeja përse, me kalimin e kohës, Partia Përparimtare Serbe “krijon gjithnjë e më shumë përshtypjen se po humbet kontrollin mbi sistemin”, sipas tij.

“Partia Përparimtare Serbe është dikush që ka plotësisht kontroll, që e di se çfarë ndodh, dikush që vazhdimisht i emërton gjërat disi... Ja, le të themi tani që ky është një revolucion me ngjyra”, shton Vraniq.

Revolucione me ngjyra janë quajtur protestat që kanë përmbysur regjimet autoritare në vendet ish-sovjetike.

Çfarë do të thotë 15 marsi për studentët protestues?

Disa ditë para tubimit, studentë nga pjesë të ndryshme të Serbisë udhëtuan për në Beograd.

Disa prej tyre edhe në këmbë, duke përshkuar dhjetëra kilometra.

Njëri nga ta është Alleksa Mikiq, student në Universitetin e Nishit. Duke i komentuar parashikimet e autoriteteve për 15 marsin, ai thotë:

“Mendoj se këto janë vetëm provokime që ndoshta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Por, unë besoj se do t’iu rezistojmë dhe do të jetë një tubim i madh”.

Pak ditë para protestës, grupi joformal “Studentët në bllokadë” tha se 15 marsi “duhet të jetë një ditë që Serbia nuk do ta harrojë”.

“Të jetë e qartë për të gjithë - ne nuk do të ndalemi, nuk do të lejojmë të na injorojnë, nuk do të lejojmë që kjo ditë të kalojë në heshtje. Ky është momenti ynë. Ky është zëri ynë. Le ta dinë të gjithë: më 15 mars Serbia është në Beograd”, thanë studentët.

“Imagjinojeni Serbinë si një lumë që rrjedh drejt një qëllimi - çdo qytet, çdo fshat, çdo rrugë le të bëhet degë e tij”, thuhet po ashtu në deklaratën e tyre.

Tensione para tubimit

Ditët para tubimit u karakterizuan me tensione dhe incidente në Beograd.

Pas thirrjes së studentëve, më 10 mars filloi bllokada shumorëshe e ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë (RTS), në qendër të qytetit.

Në një moment kishte edhe “përleshje” me policinë. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi më vonë për plagosjen e një polici.

Ministri Ivica Daçiq tha se policia nuk ka vepruar kundër demonstruesve, por se është sulmuar.

Por, siç raportoi agjencia serbe e lajmeve, Beta, pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan se policia i kishte sulmuar me shkopinj studentët dhe qytetarët e mbledhur.

Ndërkaq, gjatë protestës së 8 marsit, të thirrur nga studentët, një kordon i policisë i ndaloi fermerët me traktorë në Beogradin e Ri, të cilët po shkonin për t’iu bashkuar protestës në qendër të qytetit.

Meqenëse studentët dhe qytetarët tjerë që ishin aty, nuk donin të vazhdonin pa fermerët, pjesëmarrësit e tjerë në tubim shkuan nga qendra tek ata.

Ndërkohë, traktorët u tërhoqën, të ndjekur nga policia, ndërsa protesta përfundoi pa incidente.

Muajt e protestave në Serbi

Protestat në Serbi filluan pas shembjes së një strehe të Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor.

Në këtë incident, 15 persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

Organizata joqeveritare me bazë në Beograd, Arkivi i Tubimeve Publike (AJS), njoftoi më 5 mars se, që nga ajo kohë, protesta janë mbajtur në 400 vende dhe qytete në Serbi.

E vetmja protestë që u përshkua nga dhuna, ndodhi pesë ditë pas incidentit, më 5 nëntor në Novi Sad.

Ai ishte një nga tubimet më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në atë qytet.

Trazirat shpërthyen kur grupe burrash - kryesisht të veshur me maska dhe kapele - hodhën gurë dhe sende të tjera drejt selisë së bashkisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat