Kur ka kaluar pothuajse një ditë nga urdhri i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës për ta ndaluar liderin e Republikës Sërpska për ta marrë në pyetje, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Agjencia Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), dhe Agjenci Policore e Bosnje e Hercegovinës, kanë deklaruar se, megjithëse nuk e kanë refuzuar ndihmën për ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e Millorad Dodikut, Nenad Stevandiqit dhe Radovan Vishkoviqit, ata kanë kryer një vlerësim të sigurisë, i cili është cilësuar si me rrezik të lartë dhe i është përcjellë Policisë Gjyqësore të Bosnje e Hercegovinës.
Dodik, president i Republikës Sërpska (RS), Vishkoviqit, kryeministër i RS-së, dhe Stevandiq, kryetar i Asamblesë Parlamentare të RS-së, deklaruan në një konferencë për media se nuk do t’i përgjigjen thirrjeve të Prokurorisë, të cilën e cilësuan si "jokushtetuese".
Esad Fejzagiq, avokat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, shpjegoi për Radion Evropa e Lirë (REL) se procedura ligjore për ndalimin e të dyshuarve është e qartë, por në këtë rast nuk është e qartë se kush do ta zbatojë atë.
Dodik, Vishkoviqit dhe Stevandiq dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve zyrtare.
Prokuroria Shtetërore më herët kishte bërë të ditur se hetimet për këtë rast kishin nisur në dhjetor të vitit 2024, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e kësaj vepre penale, por nuk kishte dhënë hollësi mbi natyrën e hetimit apo identitetin e të gjithë të dyshuarve.
Në ditët para se Prokuroria të konfirmonte lëshimin e urdhrit për ndalimin e tij, Dodik dha deklarata kontradiktore mbi faktin nëse kishte marrë apo jo ftesë për intervistim.
Cila është procedura e mëtejshme?
Fejzagiq shpjegon se nuk ka ndonjë afat ligjor të përcaktuar për kërkimin e të dyshuarve pa ndonjë fletarrestim, por organet policore vendosin nëse ka ende kuptim të vazhdohet kërkimi.
Nëse nuk ka rezultat, lëshohet një fletarrestim kombëtar, i cili vlen për të gjithë Bosnje e Hercegovinën. Në këtë rast, të gjithë MPB-të (ministritë e Brendshme) në vend, përfshirë ato të nivelit entitetesh dhe kantonesh, si dhe Policia Kufitare dhe SIPA, angazhohen për arrestimin e të dyshuarit.
Nëse as kjo nuk sjell rezultat, lëshohet një fletarrestim ndërkombëtar, duke përfshirë policitë e të gjitha shteteve në procesin e kërkimit.
"Por, problemi nuk është te ligji, por se kush do ta zbatojë atë. Ligjërisht është e qartë dhe e lehtë për t’u realizuar. Megjithatë, kjo tashmë tejkalon edhe njohuritë e mia profesionale. Askush nuk e di saktësisht se si do të zbatohet. Kjo është pikërisht thelbi i të gjithë problematikës", thekson Fejzagiq.
Çfarë ndodh nëse ndërhyn MBP-ja e RS-së?
Ministri i Brendshëm i Republikës Sërpska, Sinisha Karan, ka deklaruar për televizionin ATV se askush nuk do të arrestohet dhe se Ministria e tij, përfshirë Policinë e RS-së, kanë për detyrë ta mbrojnë rendin kushtetues të entitetit, institucionet dhe përfaqësuesit e tij, si dhe qytetarët e RS-së.
Ai tha se SIPA, Gjykata dhe Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës konsiderohen si institucione jokushtetuese sipas ligjeve të miratuara nga Asambleja Kombëtare e RS-së dhe se atyre u ndalohet të veprojnë në territorin e entitetit.
Fejzagiq paralajmëron se pengimi i ndalimit të një të dyshuari është vepër penale.
"Pengimi i një veprimi zyrtar përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës dhe ligjeve penale të entiteteve", thekson ai.
Ai shton se, nëse Policia Gjyqësore përballet me kërcënime për përdorim force nga një agjenci tjetër policore, ata do të ndalojnë veprimet e tyre dhe do të njoftojnë Gjykatën për situatën.
Çfarë parashikon Ligji për Procedurën Penale?
Ligji për Procedurën Penale i Bosnje e Hercegovinës përcakton që personat e thirrur për të dhënë dëshmi para Prokurorisë, nëse mungojnë, duhet ta arsyetojnë mungesën e tyre.
Pas kësaj, Prokuroria shqyrton arsyet dhe ka dy mundësi: ose të kërkojë shoqërimin me forcë të personit të thirrur, ose të heqë dorë nga marrja në pyetje.
Ligji gjithashtu parashikon që, nëse ekzistojnë rrethana që tregojnë se i dyshuari mund të arratiset ose të largohet jashtë vendit, gjykata mund t’ia ndalojë atij largimin nga vendbanimi dhe t’ia konfiskojë përkohësisht dokumentet e udhëtimit.
Një person i dyshuar mund të vendoset në paraburgim nëse ekziston rreziku i arratisjes, ose nëse ka dyshime të bazuara se ai mund të "shkatërrojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e rëndësishme për procesin penal" ose të ndikojë tek dëshmitarët.
Çfarë ka ndodhur në të kaluarën?
Kërkesa për ndalimin e zyrtarëve të lartë të Republikës Sërpska vjen në një periudhë të tensionuar, pas vendimit të Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës më 26 shkurt, e cila e dënoi Millorad Dodikun me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Një ditë pas dënimit, Asambleja Kombëtare e RS-së miratoi një sërë ligjesh jokushtetuese, me të cilat synohej ndalimi i punës së Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial brenda territorit të entitetit.
Por, më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.
Shfuqizimi i njëanshëm i autoritetit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës mbi një pjesë të territorit të tij nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Megjithatë, nuk është e qartë se sa ndikim ka ky vendim mbi autoritetet e RS-së, duke qenë se Asambleja e RS-së kishte miratuar në vitin 2023 një ligj që ndalon zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës brenda territorit të entitetit.
Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Dodik deklaroi se ligjet e miratuara nga Asambleja e RS-së do të vazhdojnë të zbatohen, pavarësisht ndalimit të tyre.
Pas kësaj, autoritetet e Republikës Sërpska vazhduan me aktivitete jokushtetuese, duke përfshirë shqyrtimin e një Kushtetute të re për entitetin në mbledhjen e Asamblesë më 12 mars, e cila parasheh që Republika Sërpska të shpallet shtet, ta themelojë një ushtri të pavarur të RS-së dhe ta shfuqizojë Këshillin e Popujve të RS-së./REL