Luis Hamilton nuk është tipi i njeriut që fsheh vështirësitë e tij. Në shumë vite të Formulës 1, shtatë herë kampioni i botës ka zbuluar disa nga dobësitë e tij: marrëdhënien fillimisht problematike me babain e tij Entoni, dyshimet për vlerën e tij dhe pasojat psikologjike pas humbjes së shumëpërfolur në Botërorin 2021.
Së fundmi, në një intervistë me gazetën britanike “Sunday Times”, piloti i Mercedesit, i cili do të bashkohet me Ferrarin sezonin e ardhshëm, rrëfeu se kishte pasur një pengesë tjetër gjatë jetës së tij: depresionin.
Hamilton pranon se ai ndihej veçanërisht i brishtë gjatë adoleshencës së tij dhe sezoneve para se të mbërrinte në Formula 1: “Gjatë gjithë jetës sime jam marrë me shëndetin tim mendor.
Kam vuajtur nga depresioni në një moshë shumë të hershme, kur isha rreth 13 vjeç. Mendoj se është diktuar nga presioni i garave dhe problemet në shkollë, si bullizmi”, rrëfen Hamilton.