Vetëm tri ditë pas humbjes ndaj Juventusit, Milani do të rikthehet sërish në “San Siro” nesër në mbrëmje për t’u përballur me skuadrën e Torinos, me synimin për t’u rikthyer te fitorja që jo vetëm do t’i mbante në krye, por mund t’i shkëpusë edhe më shumë.
Trajneri Stefano Pioli doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ndër të tjera theksoi se nuk ka pasur nevojë të punojë në aspektin moral pas humbjes me Juventusin dhe se skuadra ka energjitë e duhura për t’u rikthyer menjëherë te fitorja.
“Humbja me Juven nuk ka lënë pasoja dhe nuk ka qenë nevoja të punojmë në aspektin moral. Skuadra është gati dhe ndonëse kemi ende mungesa, besoj se kemi energjitë e duhura fizike dhe mendore, për t’u rikthyer te fitorja nesër”, u shpreh Pioli.
Për sfidën ndaj skuadrës “granata” do të rikthehet mesfushori Sandro Tonali, por me shumë gjasa do të mungojë turku Hakan Calhanoglu, i cili u dëmtua ndaj Juventusit, ndërsa Pioli flet edhe për ecurinë e rikuperimit të futbollistëve të tjerë.
“Do të kemi shumë mungesa edhe nesër, për arsye që dihen tashmë, qoftë për shkak të dëmtimeve, apo edhe prej koronavirusit. Ibra ka programin e tij të rikuperimit, por nesër nuk do të jetë dhe shpresoj ta kemi në dispozicion për disa minuta në ndeshjen ndaj Cagliarit. Edhe Bennacer e Saelemaekers vijojnë rikuperimin. Po stërviten me skuadrën, por mendoj se është herët t’i sforcojmë”, tha trajneri kuqezi.