Drejtuesit e Milanit dhe të Torinos kanë përfituar nga fakti që kalendari kishte rezervuar përballjen mes dy ekipeve, që të takohen me njëri-tjetrin dhe të flasin edhe për merkaton.
Kjo pasi kuqezinjtë kanë përfshirë në listën e objektivave edhe mesfushorin e Torinos, Soualiho Meite, i cili nuk po gjen hapësira me rreshtimi ne ri që po përdor trajneri Giampaolo dhe ka përfunduar në listën e lojtarëve që mund të shiten.
Nga ana tjetër Milani vijon të jetë në kërkim të një mesfushori dhe pas vështirësive që po has për të arritur te francezi Kone, ka vendosur të kthejë sytë nga mesfushori i “granatave”, i cili e njeh mirë kampionatin dhe nuk do të ketë vështirësi përshtatjeje.
Dy drejtuesit e klubeve, Davide Vagnati i Torinos dhe Federico Massara i Milanit, pranuan se ekziston një negociatë e hapur për mesfushorin Meite, por thanë se marrëveshja është ende larg.
“Milani është një nga klubet që ka shfaqur interes për Meite, ashtu si shumë skuadra të tjera, por jemi vetëm në fazën e interesimit dhe nuk kemi marrëveshje”, u shpreh drejtuesi i Torinos.
“Po ndjekim disa futbollistë dhe një ndër ta është edhe Meite. Do të flasim me trajnerin dhe do të vendosim, por ka kohë, sepse merkatoja mbyllet në fund të muajit. Sa i përket rinovimit të Calhanoglu dhe Donnarummës, po punojmë në qetësi, të bindur se lojtarët janë përqendruar te fusha e lojës”, tha Massara.