Penalltia e së mërkurës mbrëma në dëm të Frenkie de Jong për prekje të dyshimtë të topit me dorë në zonë, është shembull i rregullave të ndryshme që zbatohen për Barcelonën dhe Real Madridin nga gjyqtarët, sipas mediave spanjolle.
Gjyqtari Jose Luis Munuera Montero nuk ngurroi t’i bjerë pipit dhe të tregojë në pikën e bardhë kur De Jong e preku topin me dorë në mënyrë të dyshimtë, duke ia mundësuar Mikel Oyarzabal ta barazojë rezultatin për Real Sociedadin.
Gjyqtari i njëjtë, megjithatë, e fali Sergio Ramosin për një prekje të njëjtë të topit me dorë kundër Eibarit.
Ai nuk dha penallti kundër Ramosit, edhe pse dora e mbrojtësit spanjoll kishte qenë e shkëputur nga trupi i tij në çastin kur e kishte goditur topi.
Ai ishte aq i bindur, në fakt, saqë madje nuk kishte shkuar për ta rishikuar incidentin në VAR.
Ishte një çast vendimtar, sepse Eibar do të kishte pasur mundësi ta barazonte në 2:2 rezultatin, i cili në fund doli të ishte 3:1 për Real Madridin.
Për shtypin katalonas, ky është vetëm një shembull tjetër sesi Madridi favorizohet nga gjyqtarët në La Liga dhe autoritetet e futbollit spanjoll.