Mirel Josa nisi sot zyrtarisht aventurën te Kukësi.
Trajneri kryeqytetas i cili ishte përfolur edhe para disa vitesh për të marrë drejtimin e Kukësit teksa firmosi këtë herë një kontratë për 1 vit e gjysmë, drejtoi seancën e parë stërvitore, duke u njohur nga afër edhe me të gjithë futbollistët. I pranishëm në këtë seancë ishte edhe mbrojtësi i talentuar boshnjak Numan Kurdic i cili mund të konsiderohet zyrtarisht një futbollist i Kukësit, pasi ngërçi është zgjidhur dhe ai vjen në huazim te verilindorët nga Sarejevo.
“Ekipi ka zhvilluar sot stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa, i cili u shoqërua nga ndihmësi Rraman Hallaçi dhe drejtori Sportiv, Nderim Nexhipi.
Trajneri Josa foli para skuadrës, duke u prezantuar dhe duke mbajtur fjalimin e parë, teksa objektivat e klubit mbeten të njëjta, titulli kampion dhe Kupa e Shqipërisë. Ditën e nesërme në orën 11:00, trajneri Mirel Josa do të prezantohet para mediave”, njofton klubi verilindor në rrjetet sociale.
Në ditët e ardhshme pritet të vijë edhe prezantimi para mediave i Mirel Josës si trajner i Kukësit.