Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti do të luajnë aktin e parë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë me objektivin e madh për të shkuar në finale.
Napoli mirëpret sot në mbrëmje në “Diego Armando Maradona” Atalantën për 90 minuta spektakolare. Situata në kampin napolitan nuk është aspak e qetë pas deklaratave të forta të trajnerit Gatuzo se presidenti e ka zhgënjyer dhe ai mund të largohet nga drejtimi i skuadrës.
Megjithatë, fitorja e fundit në kampionat ka qetësuar disi ujërat. Gatuzo ka vendosur t’i besojë Elseid Hysajt nga krahu i majtë i mbrojtjes, i cili ka bërë ndeshje të mira dhe konstante.
Atalanta kërkon të përfitojë nga këto momente të vështira të Napolit dhe Gasperini ka thumbuar rivalët duke i konsideruar kandidatë për titullin kampion në Itali. Edhe ky i fundit nuk heq dorë nga aktivizimi i Gjimshitit, i cili është i rëndësishëm.