Të jesh futbollist dhe student në vitet e 90-ta, ishte vërtet shumë e vështirë sepse vazhdimisht ishin të kërcënuar nga regjimi serb.
Bashkim Patoku i takon Gjeneratës së Republikës dhe ishte prej futbollistëve më të mirë.
Ai në periudhën 1993-1996 luajti me sukses për klubin me renome Vëllaznimi nga Gjakova, pastaj shtegtoi në kryeqytet përkatësisht të KF Prishtina, duke lënë gjurmë të pashlyeshme.
Periudhë e rëndë për Patokun dhe për gjithë sportistët e Republikës së Kosovës, lozni në fusha të improvizuara dhe në fshatrat e ndryshme të Kosovës sepse stadiumet dhe palestrat sportive u uzurpuan nga pushtuesi serb.
Ish sulmuesi anësor (i krahut të djathtë) kujton vështirësitë e asaj kohe, por është krenar që ishte pjesë e gjeneratës së sakrificës.
“Disa herë na i ndërprenë ndeshjet me Vëllaznimin, na thoshin pse po luanin për Republikën e Kosovës.
Edhe në Prishtinë nuk guxonin me u shëtit, milicia serbe me quanin terrorist prej Rrafshit të Dukagjinit”, tregon Patoku për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Patoku kujton edhe një rast me bashkëlojtarin e asaj kohe, Malësor Gjonbalaj.
“Në një rast isha me Malësor Gjonbalajn duke u kthye në shtëpi. Na ndalen milicia serbe. E kur e morën vesh se luajmë për Prishtinën që zhvillonte gara në Republikën e Kosovës, veç sa nuk na burgosën...
Edhe na u kërcënuan që nëse edhe një herë na shohin në Prishtinë...
Ne ishim edhe futbollistë edhe studentë”, kujton Patoku ato kërcënime të viteve të 90-ta.
Patoku dha kontribut të madh për futbollin dhe sportin në përgjithësi të Kosovës dhe nuk u ndal asnjëherë përkundër kërcënimeve të mëdha nga regjimi serb. Ai sot jeton dhe vepron në Zvicër.
Duhet theksuar, pas luftës ishte dy herë kampion dhe fitues i Superkupës me Prishtinën.