Sinjale afrimi dhe 8 milionë euro

Futboll

Sinjale afrimi dhe 8 milionë euro

Më: 6 maj 2021 Në ora: 11:12
Sinjale afrimi dhe 8 milionë euro

Përplasja me tifozët e së shtunës së kaluar është ende e freskët në mendjen e Xhanluixhi Donarumës, por në intervistën e një dite më parë pikërisht portieri nënvijëzoi lidhjen e fortë me tifozërinë si një armë për skuadrën drejt objektivave sezonale.

Bisedimet për rinovimin janë ngrirë me urdhër të klubit, por Xhixho thuhet se vazhdon të mendojë për të ardhmen e burime nga qendra stërvitore garantojnë se nuk ka dëshirë të bëjë valixhet. Milani, që është edhe ekipi i zemrës, i ofron një kontratë prej 7 milionë eurosh në sezon plus 1 milion tjetër në formë bonusi. Ndërkohë, në anën tjetër, menaxheri Raiola thuhet se ka një propozim akoma më joshës me 22- vjeçarin që do të përfitonte 10 milionë euro në sezon nëse pranon Juventusin që vendos në “pjatë” edhe 3 milionë euro për babain e lojtarit, ndërsa Raiolës do t’i takonin 20 milionë për ndërmjetësimin.

STRATEGJIA – Para dhe vetëm para që peshojnë shumë në këto situata, megjithatë, sipas “Sportmediaset” duket se në “Casa Milan” po mendohet për një plan B. Drejtuesit besojnë se Ardiani kuqezi mund të pranojë 8 milionë eurot në sezon të “Djallit” për të rinovuar, por me kusht që afati të mos i kalojë dy vitet. Në akord do të përfshihej një klauzolë largimi për sezonin tjetër nëse skuadra nuk do të arrinte të kualifikohej në Champions.

Diçka e tillë do të shmangte një ndarje të hidhur me Milanin e njëkohësisht do ta qetësonte në kohë për Europianin, një kompeticion ku Xhixho synon të luajë me mendje të zbrazur nga mendimet e këqija.

Sidoqoftë, këto janë vetëm zëra pasi dihet që e ardhmja është ekskluzivisht në duart e portierit, por ndoshta zgjidhja e problemit mund të gjendet përpara 23 majit kur përfundon edhe kampionati i Serisë A, pavarësisht se Maldini pak ditë më parë tha se çdo bisedim rinovimi do të zhvillohej pas mbylljes së sezonit kur edhe Milani të ketë më të qartë të ardhmen në lidhje me pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.

Kjo do të thotë që Champions-i mund të jetë faktor vendimtar në zgjedhjen e Donarumës, ndaj edhe sfida Juve-Milan e së dielës do të vlejë për tri pikë, por edhe për portierin e sezonit të ri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat