Shkëndija e Tetovës ia doli të fitojë titullin kampion në Maqedoninë e Veriut, në një kampionat të dominuar nga fillimi deri në fund.
Ditën e sotme, kalendari i rezervoi kuqezinjve një përballje ndaj Shkupit, ajo e cila është edhe e fundit për këtë sezon.
Megjithatë ndeshja nuk është luajtur deri në fund, pasi u ndërpre 15 minuta para fundit.
Shkaku? Tifogrupi i Shkëndijës, “Ballistët” kanë arritur të futen në stadiumin e tyre “Ecolog Arena”, për të festuar arritjen e skuadrës, ndonëse diçka e tillë nuk lejohet.
Në këtë situatë, skuadra e Shkupit ka vendosur të largohet nga fusha, për të mos e vazhduar ndeshjen, e cila nisi 30 minuta më vonë, pasi gjithçka u rikthye në normalitet.