FSHF sqaron ceremoninë e dhënies së titullit në Superiore

Futboll

FSHF sqaron ceremoninë e dhënies së titullit në Superiore

Më: 24 maj 2021 Në ora: 18:54
Foto ilustrim

Matematikisht janë 4 ekipe në luftë për titull në javën e fundit të Kategorisë Superiore dhe si asnjëherë tjetër në dekadën e fundit të kampionatit, nuk ka patur një rivalitet të tillë.

Pati shumë pikëpyetje për ceremoninë e titullit apo ku duhej të shkonte kreu i FSHF i cili do të premiojë dhe skuadrën fituese e për këtë arsye, Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni u mblodh për të vendosur modalitetet e ceremonisë.

Duke parë se 90 minuta përpara fundit të sezonit në garë për titullin kampion janë katër skuadra, Komiteti Ekzekutiv vendosi organizimin e 3 ceremonive, në Ballsh, Durrës dhe Shkodër. Në të tre qytetet do të jetë trofeu i kampionit, zyrtarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që Presidenti Duka i cili do të dorëzojë trofeun, do të udhëtojë drejt stadiumit ku do të dorëzohet titulli menjëherë pas përfundimit të lojës së rregullt”, thuhet në njoftimin e Komitetit Ekzekutiv pas mbledhjes.

Pra në tre sfidat e fundit ku luhet titulli, Bylis-Partizani, Teuta-Apolonia, Vllaznia-Laçi do të ketë një trofe në këto stadium që festa e titullit të jetë gati për çdo rast të mundshëm. Edhe pse në letër, Teuta është kampion, proçedura e kërkon por edhe futbolli mund të sjellë të papritura ndaj dhe trofeu do të jetë në Ballsh, në Durrës dhe në Shkodër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat