Portieri i Tiranës, Visar Bekaj, është ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës Bernard Challandes, për ndeshjet miqësore të muajit qershor.
Klubi nga kryeqyteti shqiptar e ka konfirmuar lajmin përmes rrjeteve sociale.
“Portieri i Tiranës Visar Bekaj është grumbulluar nga përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjet që do të zhvillohen përgjatë muajit Qershor. Gardiani bardh’e blu do të grumbullohet me skuadrën në fillim të muajit të ardhshëm. I urojmë suksese në përballjet e radhës”, shkruhet në njoftimin e Tiranës.
Kosova do të luajë disa ndeshje miqësore në muajin qershor.
Fillimisht më 1 qershor, Kosova do të përballet me San Marinon në “Fadil Vokrri”, e më pas do të udhëtojnë në Austri për t’u përballur me Maltën (më 4 qershor), derisa më pas do të udhëtojnë në Antalia, ku do të zhvillojnë miqësoret me Guinenë dhe Gambinë, më 8 përkatësisht 11 qershor.