Holanda mobilizohet për Çekinë

Futboll

Holanda mobilizohet për Çekinë

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 17:43
Holanda mobilizohet për Çekinë

Pas disa ditësh pasigurish, trajneri i kombëtares holandeze, Frenk de Bur, ka mësuar kundërshtarin me të cilin do të përballet të dielën në orën 18:00 në Budapest për 1/8-at e Europianit.

Për shkak të rezultateve të Grupit E të mërkurën, do të ketë përballë Republikën Çeke. “Natyrisht po presim me padurim që të nisë faza me eliminim direkt. Duhet të jemi në maksimumin tonë për të regjistruar një rezultat të mirë”, është shprehur De Bur. Çekët e nisën më së miri Europianin, me një fitore 2-0 ndaj Skocisë, falë dopietës së Patrik Shik.

Goli i dytë në veçanti ishte një mrekulli, i shënuar menjëherë pasi kaloi rrethin e gjysmëfushës. Në ndeshjen e dytë të grupit barazuan kundër kroatëve (1-1, sërish gol i Shik). Ndërkohë që humbën të fundit ndaj anglezëve, që shënuan me Rahem Sterling. “Në fazën e grupeve treguan se çfarë dinë të bëjnë”, – ka vijuar De Bur. – “Duhet të punojmë shumë. Të përdorim ditët që kemi në gatishmëri për t’i analizuar mirë”.

Në krahun tjetër Holanda kaloi grupin duke fituar të gjitha ndeshjet, me Ukrainën (3-2), Austrinë (2-0) dhe Maqedoninë e Veriut (3- 0).

Ndeshja e së dielës në “Puskas Arena” (plot 67,000 vende, nga të cilat tani mund të përdoren 55,000, 15,000 nga të cilat parashikohet të jenë holandezë) do të përcaktojë edhe çiftin e radhës. Në rast fitoreje të holandezëve kundër çekëve, Depaj me shokë do të luajnë në çerekfinale kundër fitueses së Danimarkë-Uells.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat