Klubi italian, Juventus ka njoftuar se lojtari i tyre, Adrien Rabiot ka pësuar një lëndim muskulor, prandaj do të mungojë në ndeshje miqësore të të dielës ndaj Barcelonës.
Mesfushori francez u kthye në stërvitje në javën e kaluar, por do të mungojë në përballjen kundër Barcelonës në kuadër të sfidës së vlefshme për Trofeun Gamper.
“Për shkak të një problemi muskulor të raportuar në fund të seancës (e hënë) stërvitore, Adrien Rabiot iu nënshtrua testeve diagnostike në mëngjesin e së martës në J|Medical që treguan një lezion të shkallës së ulët të muskulit rectus femoris të kofshës”.
“Brenda 10 ditësh, ai do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të reja për të përcaktuar saktësisht periudhën e shërimit”, thuhet në njoftimin e “Bianconerëve”.
Rabiot iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2019 si lojtar i lirë nga Paris Saint-Germaini.