Vërshëllimat e tifozëve ndaj Leroi Sanesë nuk e shqetësojnë ish-drejtorin e përgjithshëm të Bayernit të Mynihut, Karl-Hainc Rumenige. Gjatë intervistës së tij të parë televizive për “Bild TV”, që prej tërheqjes nga drejtimi i kampionëve të Gjermanisë, 65- vjeçari bën një krahasim me situatën e vështirë që po kalon sulmuesi gjerman.
Si e shikoni reagimin e fundit të tifozëve për Leroi Sanenë?
Së pari, nuk më pëlqeu. Më vjen keq për të. Ai po përpiqet, por nuk ka besim. Nuk luajti një Europian të mirë me Gjermaninë dhe me çmimin e transferimit dhe rrogën e tij, kritikat e tifozëve po shtohen dalëngadalë… Më kujton vitin 2012 në stadiumin tonë. Kishim finalen e famshme në shtëpi të Ligës së Kampioneve me Arjen Robenin e trishtuar. Ai humbi një penallti në atë finale, përfshirë edhe një penallti të rëndësishme kundër Dortmundit. Arjen ishte thuajse gati për të kërkuar largimin, por ne i thamë: “Jo, ne nuk do ta bëjmë”. Ai ishte një futbollist i rëndësishëm për Bajernin. Ne e mbështetëm. Jup Hajnkes e riktheu në garë. Ai ishte shumë ambicioz. Rezultati? Një vit më vonë ishte heroi i finales së Champions-it kundër Dortmundit.
Cristiano Ronaldo, i cili e nisi ndeshjen e javës së parë të Serisë A nga stoli, ka shtuar zërat për një largim nga Juventusi. Ku mund të shkojë?
Problemi më i madh do të jetë: “Kush mund t’i paguajë rrogën?” Ai fiton 70 milionë euro bruto, 35 milionë neto. Kush e përballon dot këtë? PSG? Ndoshta klubet angleze? Është një problem i madh. UEFA-s i del për detyrë të bëjë diçka këtu. Në këtë moment, rrezikohet sërish inflacioni ekonomik. Nëse ky problem nuk rregullohet siç duhet, futbolli do të jetë përballë një momenti shumë, shumë të vështirë.