Vjen në Shkëndijë të Tetovës Sindrit Guri, golashënuesi cilësor që pritet të udhëheqë kuqezinjtë në sulm.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, 27 vjeçari Sindrit Guri, me Shkëndijën ka nënshkruar kontratë 1 vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit.
Guri te skuadra kuqezi vjen nga kampionati belg, nga ekipi KV Oostende, ndërsa paraprakisht ka luajtur në Superligën Shqiptare ku qenë pjesë e ekipit të Kukësit, ku edhe u bë i njohur me 21 gola të shënuar nga 17 ndeshje.
“Kur e mësova se mund të vij në Shkëndijë, menjëherë më lindi dëshira që sa më shpejt të vij në Tetovë dhe të nënshkruaj. Jam tepër i lumtur që pas tre viteve përsëri kthehem në një ekip shqiptar, por edhe më i lumtur që i bashkëngjitem një skuadre siç është Shkëndija, me gjithë armatën e tyre të tifozëve kuqezi.
Mendoj se ky është një moment shumë i duhur në karrierën time që të vij në një klub i cili luan futboll me sulme. Ndjehem shumë mirë që jam këtu, pasi që e di se Shkëndija është kampion aktual i Maqedonisë së Veriut dhe ka ambicie që përsëri edhe këtë vit të shpallet kampion.