Haaland thyen heshtjen: Do të luaj në Spanjë

Futboll

Haaland thyen heshtjen: Do të luaj në Spanjë

Më: 1 janar 2022 Në ora: 17:42
Haaland

Ylli i Borussia Dortmundit Erling Haaland ka thyer heshtjen mbi të ardhmen e tij, pasi që raportohet se iu ka thënë disa tifozëve që ai po planifikon të vazhdojë karrierën e tij në Spanjë.

21 vjeçari është njëri nga sulmuesit më të mirë në botë përgjatë tre sezoneve të fundit, ku ka regjistruar 76 gola në 74 ndeshje për Dortmundin.

Ish-sulmuesi i RB Salzburgut, i cili përfundoi i 11-ti në ranglistën e fundit të Topit të Artë, ka një klauzolë lirimi prej 75 milionë eurosh në kontratën e tij me skuadrën gjermane.

Skuadra të shumta evropiane kanë shprehur interesim serioz në shërbimet e Haaland, ndër to edhe gjigandët anglez Chelsea, Manchester United, Manchester City e Liverpooli, por të gjitha këto do të jenë të dëshpëruara pasi që ylli norvegjez po planifikon kalimin në La Liga.

Sipas “AS”, Haaland ka folur me disa përkrahës të tij, duke iu thënë që “unë do të luaj këtu në Spanjë”, gjatë pushimeve të tij në Marbella me familjen e tij.

Ky do të jetë një lajm tejet i mirë për dy gjigandët e La Ligas Real Madrid dhe Barcelona, të cilat spekulohet se janë në garë për të siguruar transferimin e Haaland.

Së fundmi, agjenti i Haaland Mino Raiola ka bërë të ditur që klienti i tij ka blerë një shtëpi në Spanjë, dhe reprezentuesi i Norvegjisë në intervistat e tij të kaluara nuk e ka fshehur dëshirën e tij për futbollin spanjoll.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat