Cristiano Ronaldo e ka lënë në hije rivalin e tij Lionel Messi këtë sezon, pavarësisht se Manchester Unitedi i tij nuk është duke bërë sezonin që ai shpresonte.
Portugezi u rikthye në verë pas 12 vitesh në “Old Trafford”. Por edhe pse gjërat nuk kanë shkuar edhe aq mirë si skuadër, individualisht 37-vjeçari po bën një sezon shumë më të mirë sesa ai i argjentinasit, i cili ndryshoi fanellën e parë në verë, duke firmosur me PSG-në.
Duke përjashtuar një ndeshje të CR7-ës për Juventusin përpara se të transferohej në Mançester, ylli i “Djajve” ka luajtur 29 ndeshje në të gjitha kompeticionet këtë sezon. 15 golat e tij, përfshijnë 9 në Premier Ligë, ndërsa argjentinasi ka shënuar 7 gola në 21 ndeshje në total me PSG-në dhe vetëm 2 në 15 ndeshje në Ligën e Parë.
Pavarësisht se ka luajtur më shumë sesa ish-numri 10 i Barcelonës, ai ka një raport gol/minuta shumë më të mirë krahasuar me 34- vjeçarin, duke shënuar çdo 153 minuta, ndërsa Leo e tund rrjetën çdo 256 minuta. Edhe pse Messi ka dhënë 8 asiste ndaj 3 të Cristianos, sulmuesi i PSG-së mbetet pas në kontributet me gola, 18-15 për portugezin.
Numri 7 i Manchester Unitedit bën gjithashtu më shumë goditje (106-79) dhe prekje në zonën kundërshtare (172-96). Messi ka krijuar më shumë shanse, ka kryer më tepër pasime dhe është treguar më i saktë, ka më tepër kontakt me topin dhe e humbet atë më pak se Ronaldo.
Argjentinasi ka qenë edhe i pafat këtë sezon, ndërsa shtylla ose traversa i ka mohuar golin 9 herë ndaj vetëm 1 të Cristianos. Leo është kapur gjithashtu në pozicion jashtë loje në vetëm 5 raste, ndërsa flamuri për Ronaldon është ngritur 25 herë këtë sezon me Unitedin.
Por, pavarësisht se Ronaldo e lë pas Messin me statistikat individuale, duket ky i fundit që ka më shumë shanse për të fituar trofe këtë sezon. Unitedi është dorëzuar në garën për titullin kampion në Premier Ligë, ndërsa janë eliminuar edhe nga Kupa e Ligës dhe Kupa FA.
Kjo do të thotë se shansin e vetëm për të fituar diçka këtë sezon e kanë përmes Ligës së Kampioneve. Por francezët po marshojnë drejt titullit kampion dhe kanë një skuadër që bind më shumë sesa anglezët edhe në Europë.