Milani vazhdon gjuetinë për qendërmbrojtësin dhe Sven Botmani nuk është dëshira e vetme. Në lidhje me këtë, “Tuttosport” raporton se si Milani është në gjurmët e Maksim Estev, i lindur në 2002-shin e që militon te Montpelieja.
Një kolos 193 centimetrash, mëngjarash, ky mbrojtës francez u rrit në akademinë e të rinjve të klubit, me të cilin bëri debutimin e tij në Ligue 1 këtë sezon. Tashmë gjithsej 16 paraqitje me skuadrën bluportokalli nën urdhrat e Olivie dal Olio.
Esteve ka marrë disa vlerësime pozitive nga vëzhguesit e Milanit, të cilët e kanë vëzhguar atë shumë herë nëpër ndeshje gjatë këtyre muajve të parë të vitit 2022. Emri tjetër në listën e Maldinit është ai i Saidu Sou.
19-vjeçari luan gjithashtu në kampionatin francez për klubin e Sent Etienit dhe në këtë sezon ka koleksionuar 13 prezenca duke gjetur edhe në dy raste rrugën e golit. Me një vlerë prej 4 milionë eurosh, ai mund të përfaqësojë për Milanin një investim “alla Kalulu”.
Investimet do të prekin edhe një tjetër zonë të prapavijës. Bëhet fjalë për korsinë e majtë ku Balo Ture nuk ka bindur askënd.
Dëshira e Paolo Maldinit është të marrë nga Bolonja Aron Hikejn, i cili do të ishte alternativa e Teo Hernandezit. Kuqezinjtë tentuan që në vitin 2020 ta blinin skocezin, por premtimi i Bolonjës për t’i besuar menjëherë e bindi mbrojtësin (asokohe 17 vjeç) të pranonte ofertën kuqeblu.