Agim Ademi rizgjidhet kryetar i FFK-së: Vota për mua është votë për zhvillimin e futbollit

Futboll

Agim Ademi rizgjidhet kryetar i FFK-së: Vota për mua është votë për zhvillimin e futbollit

Më: 6 prill 2022 Në ora: 08:54 Përditësuar në ora: 14:49 më 06.04.2022
Agim Ademi

Ademi rizgjidhet president i FFK-së, paralajmërohet bojkotim nga klubet që përkrahin Gramoz Vokrrin

Grupi i skuadrave të futbollit tw pakënaqura me rizgjedhjen e Agim Ademit nw krye tw FFK-sw, kanw paralajmëruar bojkotim të ndeshjeve të futbollit, pasi sipas tyre Kuvendi i sotëm zgjedhor ishte i jashtëligjshëm.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) pas Kuvendit të Zgjedhor ka bërë të ditur që Agim Ademi ka fituar edhe një mandat katërvjeçar.

Ky Kuvend u zhvillua pa praninë e mediave, gjë kjo që bëri të përhapen spekulime të shumta mbi rregullsinë e këtij procesi zgjedhor.

Agim Ademi ishte kandidati i vetëm për këtë post, pasi Gramoz Vokrrit iu mohua kandidatura, me arsye se nënshkrimet që janë mbledhur nga ky i fundit nuk janë të ligjshme.

Kjo gjë ka bërë që FFK-ja të ndahet në dy grupe, ku edhe disa nga kryetarët e klubeve që favorizojnë Vokrrin kanë bojkotuar procesin e sotëm zgjedhor.

Drejtori sportiv i klubit Drita, Valon Zymeri, në krye me përkrahësit e tjerë të Vokrrit, kërkoi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) që ky proces të mbikëqyret në mënyrë të detajuar, pasi ky Kuvend Zgjedhor sipas tij është i jashtëligjshëm.

Zymeri: Organet kompetente ta monitorojnë procesin, Kuvendi ishte i jashtëligjshëm

"Me këtë rast ftoj organet kompetente monitoruese pranë Ministrisë dhe të gjitha institucionet e tjera që të monitorojnë me kujdes këtë Kuvend, sepse ky Kuvend i jashtëligjshëm nuk e di nëse e ka edhe numrin e saktë të kuorumit, pasi ka plot delegatë të cilët nuk janë pjesë e Kuvendit, dhe i ftoj organet të kenë kujdes në monitorimin, sepse nga ky Kuvend i jashtëligjshëm mund të ketë edhe shumë shkelje të tjera siç janë bërë deri më tani. Nga hapi i parë deri sot ku ata po mbajnë një Kuvend të jashtëligjshëm, dihet që çdo hap që është bërë, është bërë nën shkelje të sportit, ligjit për sport dhe statusit të Federatës”, tha Zymeri.

Më pas, Zymeri tregoi që në rast se nuk ka përfillje të kërkesave të tyre dhe se nëse nuk ndërmerren masa nga institucionet e shtetit, mund të ketë bojkot të futbollit nga klubet në përkrahje të Vokrrit.

Zymeri: Jemi një grup që i qëndrojmë prapa fjalëve tona, nëse nuk ndërmerren masa, do të ketë bojkot

"Ajo çka është më e rëndësishme, jemi një grup të cilët i qëndrojmë mbrapa çdo fjale që e kemi thënë deri tani, dhe sigurisht nëse nuk ndërmerret ndonjë masë nga institucionet e shtetit, atëherë mbetemi të fokusuar t’i shohim hapat e tjerë, dhe pse jo edhe ajo që e kemi thënë shpesh herë se duhet të kemi bojkot, sepse në rast se nuk ka ligje apo institucione të cilat na i mbrojnë të drejtat, atëherë pse duhet të luajmë futboll në një vend ku nuk të mbrohet e drejta jote elementare”, tha Zymeri.

Zymeri e cilësoi këtë Kuvend si të jashtëligjshëm, duke thënë që kur ka pasur manipulime në kandidaturën për kryetar të FFK-së.

Ndërkaq, rikujtojmë se kampioni aktual Prishtina, klubi i Dritës, Kika, Drenica, Vllaznia, Malisheva, Gjakova, Trepça ’89 dhe Ulpiana janë klubet që janë në përkrahje të Gramoz Vokrrit, dhe kundër rizgjedhjes së Agim Ademit në krye të FFK-së.

Gramoz Vokrri pas mohimit të kandidaturës kishte paditur FFK-në në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por që kjo padi u konsiderua pa bazë dhe jashtë normave ligjore, dhe se ky Kuvend Zgjedhor është thirrur në mënyrë ligjore.

Presidenti i FFM-së ka dy fjalë për Ademin

Agim Ademi është rizgjedhur edhe për katër vite president i Federatës së Futbollit Kosovës. 

Muamed Sejdini, president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, uron Ademin për mandatin e ri katërvjeçar. 

“Urime Agim Ademi mandatin e ri katërvjeçar, president i Federata e Futbollit e Kosovës”, ka shkruar Sejdini në profilin e tij në facebook. 

Ademi e Sejdini, kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë në shumë aspekte profesionale.

Ademi: Vota për mua është votë për zhvillimin e futbollit

Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku edhe e fitoi një tjetër mandat katërvjeçar, Agim Ademi ka dalë në një konferenc për media, por nuk pranoi që ‘iu përgjigjej pyetje të tyre.

Ademi foli për Kuvendin Zgjedhor të cilin e cilësoi të suksesshëm dhe premtoi se do të punojë për të mirën e futbollit.

Ademi: Vota për mua është votë për zhvillimin e futbollit

“Sot pra është kryer Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit, mora nominimin për edhe një mandat katërvejçar për kryetar të federatës me moton “Bashkë rreth Futbollit”. Unë i falënderoj shumë delegatët të cilët në shumicë pikërisht u vërtetua kjo moto që e kemi bërë bashkë për futbollin sepse ishim shumica e delegatëve apo më mirë të themi ishim më shumë se dy të tretat. Unë do të jem edhe për këto vite krahas futbollit, do të jem bashkë me klubet, krahas klubeve, për të gjitha klubet. E kam pranuar dhe e pranoj edhe mendimin ndryshe edhe për ata të cilët nuk janë pajtuar deri më tani me mua. Besoj që me punë dhe me angazhim do t’ua rikthej besimin të gjithëve sepse e kemi vetëm një motiv, motivi ynë është futbolli. Loja jonë është futbolli dhe ne do të jemi gjitha bashkë për lojën e futbollit. Shpresoj që secili do të kontribuojë në mënyrën e vet më të mirë të mundshme prej pozicionit që është që futbolli të na ec më mbarë dhe të vazhdojmë zhvillimin. Pra vota ime sot është obligim për mua dhe zhvillim për futbollin”, tha Adami.

U pyetur nga gazetarët për arsyen e përjashtimit të mediave, Ademi nuk pranoi të flas, por kërkoi që këtë ta bëjë ushtruesi i detyrës se Sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj.

Mirëpo, edhe Hodaj nuk dha përgjigje për këtë çështje.

Hodaj: Gjithçka ishte live

“Falemnderit media të nderuara, të respektuara. I keni pasur LIVE të gjitha edhe falemnderit. Kemi pasur një kuvend të suksesshëm dhe çdo herë jeni të mirëseardhura të bëni pyetje dhe përgjigje", tha Hodaj dhe u largua menjëherë nga foltorja.

Ndryshe, Ademi mori 42 vota nga 43 delegatët e pranishëm, derisa pjesa tjetër e delegatëve, 15 prej tyre e bojkotuan kuvendin.

Agim Ademi rizgjidhet kryetar i FFK-së

Agim Ademi është rizgjedhur si president i Federatës së Futbollit të Kosovës në Kuvendin e Zgjedhor të mbajtur të mërkurën më 6 prill.

Zgjedhja e Kryetari të FFK-së ishte e paraparë në pikën e gjashtë të këtij Kuvendi Zgjedhor.

Të pranishëm në këtë kuvend ishin 43 delegatë të cilët votuan me ngritje dore. Pas votimit, Ademi mori 43 vota dhe kështu mori mandatin deri në vitin 2026.

Ademi: Në çdo cep të Kosovës ku mund të jetë një klub, do të ketë stadiume

Kandidati i vetëm për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në ekspozenë e tij për qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare tha se programin e tij po e fillon me ‘qeverisjen e mirë’.

Ai tha se raportet e mira që i ka FFK me UEFA-n e FIFA-n, kanë bërë që prej pranimit të Kosovës në këto dy organizata më të mëdha të futbollit, asnjë projekt të mos refuzohet prej tyre.

Ademi tha se ndihmë përveç UEFA-s e FIFA-s, gjithnjë kanë marrë edhe nga Ministria e Sportit, ku kanë pasur shumë projekte të përbashkëta, e si top prioritet e kanë infrastrukturën.

“Top prioritet do ta kemi infrastrukturën derisa në çdo cep të Kosovës ku mund të jetë një klub, do të ketë stadiume e terrene sportive ku mund ta zhvillojnë aktivitetin e tyre, kjo falë ndihmës nga FIFA, UEFA, ministria dhe organet tjera e sponsorët tanë”, është shprehur Ademi.

Ai, tutje tha se tjetër projekt prioritar e ka edhe masivizimin e futbollit.

“Si projekt prioritar dhe më i madhi në këto katër vite është masivizimi. Në marrjen tonë, kemi pasur diku 8 mijë e 411 futbollistë, ndërsa sot i kemi 12 mijë e 663 futbollistë të regjistruar, që do të thotë e kemi ngritë për 67 për qind masivizimin e futbollit”, ka thënë Ademi.

Ademi: Nga muaji maj fillon licencimi i trajnerëve për kategorinë A

Kandidati për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, gjatë prezantimit të ekspozesë së tij ka thënë se në muajin maj do të nis licencimi i trajnerëve për kategorinë A.

Ademi tha se kjo është arritur në kohë rekorde.

“Deri sot në Federatë janë licencuar 354 trajnerë me kategorinë C, 137 të kategorisë B dhe shumë shpejtë apo më të themi nga muaji në vazhdim, muaji maj do të fillojmë me licencën A, pra UEFA A”.

“Kjo është arritur në kohë reale”.

Ademi para delegatëve: Jam shumë i lumtur që e kam këtë përkrahje, mandati im po fillon sot

Kryetari aktual i FFK-së Agim Ademi a folur para delegatëve të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor duke thënë se është shumë i lumtur që e ka një përkrahje kaq të madhe.

Ai ka thënë se federata nën drejtimin e tij ka raporte shumë të mira si me organet e futbollit në Evropë, ashtu edhe në vend.

“Jam shumë i lumtur që e kam këtë përkrahje dhe që po e marr këtë mandat sot. Kemi raporte shumë të mira me UEFA-në dhe FIFA-në si dhe me të gjithë akterët sportiv në vend. Nën udhëheqjen time nuk është refuzuar asnjë projekt nga UEFA dhe FIFA. Kemi marrë përkrahje të madhe nga Ministria e Sportit dhe Komiteti Olimpik”, ka thënë Ademi.

Ai ka shtuar se projekti që e vlerëson më shumë është masivizimi i sportit dhe jo VAR, siç është thënë në shumë raste në publik.

Gjithashtu Ademi ka folur edhe për shumë projekte në mandatin e ri, duke përmendur edhe vazhdimin e përmirësimit të infrastrukturës si dhe futbolli nëpër shkolla.

Duka: Futbolli në Kosovë ka parë zhvillime pozitive, rezultate e ekipit kombëtar provë për këtë

Kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armando Duka, ka marr pjesë në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në fjalën e tij, Duka tha se futbolli në Kosovë ka parë shumë zhvillime pozitive, ku sipas tij, pas pranimit në UEFA e FIFA, projektet kanë qenë të mëdha.

“Riorganizimi i FFK-së e cila sot padyshim është një organizatë që di të organizojë jo vetëm garat, por është edhe vizionare për futbollin në Kosovë”.

“Kemi parë zhvillime në infrastrukturë konkrete, nëpërmjet konkretit “Hat-trick”, ku FFK ka ditur që ta thith projektin e qendrës stërvitore në Hajvali, përmirësimin e disa fushave stërvitore për klube, përmirësimi i zyrave të FFK-së”, është shprehur Duka.

Kjo tregon se jemi në rrugën e mbarë dhe do të kemi suksese të mëtejshme.

Duka më tej tha se futbolli në Kosovë është në rrugë të mbarë, teksa shtoi se kjo shihet në organizimin e klubeve kosovare për një kohë të shkurtër, e ku edhe përmendi rezultatet e Kombëtares së Kosovës.

“Rezultatet e ekipit kombëtar, një ekip i cili në Nations League për pak na bëri pjesëmarrës në Kampionatin Evropian 2020, apo me rezultatet e fundit me një barazim në Zvicër që nuk është pak”.

“Vendimet e juaja tregojnë se kanë qenë të drejta dhe uroj që vendime të tilla të merren edhe në të ardhmen. Uroj që futbolli i Kosovës të shoh zhvillime akoma më të mëdha”, ka thënë Duka.

Kujtojmë se sot po mbahet Kuvendi i Rregullt Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës, ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit të FFK-së, ku në garë i vetëm është Agim Ademi.

Përfaqësuesi i FIFA-s thotë se në Kosovë e ka vërejtur pasionin për futboll

Përfaqësuesi i FIFA-s Alessandro Gramalia, e ka përshendëtur Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës ku do të zgjedhet kryetari i FFK-së.

Në fjalën e rastit Gramalia tha se në Kosovë vërehet pasioni për futbollin.

Ai tha se edhe pse kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur të kualifikohet vullneti dhe dëshira është ende e gjallë.

Përfaqësuesi i FIFA-s shtoi së është i kënaqur që sheh investime në futboll.

“Kam që disa orë që jam në Prishtinë dhe po e vërej pasionin qysh menjëherë. Edhe pse Kosova nuk arriti të kualifikohej në kampionatin botëror vullneti dhe dëshira është ende e gjallë. Jam i lumtur që viteve të fundit ka pasur investime në infrastrukturën e futbollit dhe tek të rinjtë”.

Opozita nuk merr pjesë

– Fillon Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, Agim Ademi e kërkon mandatin e dytë.

– Opozita nuk merr pjesë në Kuvend Zgjedhor, paralajmëron konferencë për shtyp shumë shpejt.

– Brenda pak minutash do të fillojë Kuvendi i shumëpërfolur Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës.

– Delegatët janë futur në selinë e FFK-së dhe gjithçka është gati për fillimin e këtij Kuvendi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat