Eliminimi nga Liga e Kampioneve, në një edicion ku mendohej se Bajern Mynih mund të përsëriste suksesin e dy viteve më parë, nuk është përtypur mirë në Bavari.
Tifozët vendas kanë shpërthyer në kritika ndaj klubit, lojtarëve e stafit pas përballjes me Vijarealin. Por me sa duket disa e kanë tepruar me protestën e tyre pasi kanë kërcënuar për vdekje familjarët e Hasan Salihamixhiç, drejtorit sportiv të Bajern.
Të mërkurën, djali i tij Nik publikoi në rrjetet sociale foto të mesazheve fyese që kishte marrë nga tifozë të Bajernit që e cilësonin “Brazon” si përgjegjësin e turpërimit përballë Vijareal. Ndërkohë, sot bashkëshortja e ti, Ester Kopado, ka treguar një kërcënim me vdekje që i ka mbërritur në adresën e saj.
“Nëse Brazo nuk largohet nga Bajern, ne do të përdorim thikën ndaj teje dhe djalit të tij. Shihemi së shpejti”, ishte mesazhi që shoqërohej me foton e një thike. “Kërcënime për vdekje? Seriozisht?”, shkruante Ester si shoqërim të këtij postimi, teksa hodhi pastaj edhe mesazhe të tjera që kishin tema të njëjta dhe mesazhe urrejtje.
“Thuaji burrit tënd që për hir të perëndisë të largohet nga klubi, ai shkatërroi gjithçka”, ose “Thuaji atij birit të k... se ai nuk do të dalë më në klubin tonë”, ishin disa prej mesazheve të tjera që bashkëshortja e Salihamixhiç postoi në rrjetet sociale.