Zbulohen çiftet gjysmëfinaliste

Futboll

Zbulohen çiftet gjysmëfinaliste

Më: 26 prill 2022 Në ora: 11:12
Zbulohen çiftet gjysmëfinaliste

Kampionati i futbollit amator 5×5 që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar në javën që lamë pas ndeshjet e fazës çerekfinale, teksa janë përcaktuar tashmë katër skuadrat gjysmëfinaliste të këtij edicioni që do të vijojnë garën drejt titullit kampion.

4 ndeshje mjaft emocionuese që përveç rezultateve prodhuan edhe emocione të forta e gola duke tërhequr edhe tifozë në kalçeto që kanë mbështetur shokët e tyre.

Tirana 5×5, Nova, Dajti dhe ATS janë katër skuadrat që janë gjysmëfinalistet e këtij sezoni në zonën e Tiranës. Tirana 5×5 siguroi fazën tjetër pasi mundi me shifrat e thella 7-2 ekipin e Holle Team, ndërsa Nova u kualifikua në gjysmëfinale pasi fitoi me rezultatin e ngushtë 5-4 ndaj Black Eagles.

Në dy ndeshjet e tjera, Dajti mposhti me rezultatin 6-3 Selectin, ndërsa ATS mundi me të njëjtin rezultat, 6-3 skuadrën e Provincës.

Sipas skemës së përcaktuar më herët përmes shortit të hedhur nga Departamenti i Futbollit Amator në FSHF, dy çiftet gjysmëfinaliste të edicionit janë Dajti – Tirana 5×5, që do të luhet më 27 prill në ora 20:00 dhe Nova – ATS që do të luhet po të njëjtën ditë në ora 21:00.

Ndeshja finale e këtij edicioni të futbollit amator 5×5 do të luhet ditën e shtunë, më 30 prill, ku do të përcaktohet edhe kampioni për zonën e Tiranës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat