Dështim në fushë

Futboll

Dështim në fushë

Më: 27 prill 2022 Në ora: 13:33
Mauro Icardi me grua

Icardi do të largohet nga Paris Saint Germain në verë. Për këtë është e bindur gazeta franceze “Le Parisien”, duke ndjekur nga afër ngjarjet në klubin kryeqytetas. Një sezon i dështuar, për të mos thënë skandaloz për ish-sulmuesin e Interit, pavarësisht titullit të dhjetë në histori të fituar nga parizienët.

Pak i angazhuar në fushë, më shumë i përfshirë në ngjarje jofutbollistike. “Le Parisien” i referohet historisë së Icardit si vijon: “Midis problemeve personale dhe kohës së paktë të aktivizimit, ajo e lojtarit argjentinas është historia e një rrëmuje të madhe.

Pas një sezoni të parë të suksesshëm, lojtari që mbërriti në Paris në shtator të vitit 2019, zhgënjeu. Ai pritet të largohet nga klubi gjatë merkatos së verës, dy vite para se t’i skadojë kontrata”.

Këtë sezon, Icardi ka shënuar vetëm pesë gola, por gjithashtu është aktivizuar shumë pak nga Pochettino. Prandaj, ndeshja kundër Angers mund të ishte e fundit e luajtur nga Mauro Icardi me fanellën e PSG-së.

“Imazhi i Mauro Icardit, i ngushëlluar nga Kylian Mbappé pak para se të hynte në dhomat e zhveshjes së stadiumit ‘Raymond-Kopa’ në Angers, pasi pësoi një dëmtim të kuadricepsit të djathtë gjatë nxehjes, do të jetë i fundit i sulmuesit argjentinas me ngjyrat e PSG-së.

Nuk është ende e sigurt, por fare mirë mund të jetë kështu”, – nënvizon gazeta shumë pranë klubit parizien.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat