Një shprehje me nënkuptim, ndërsa ndodhej në një udhëtim në Paris, e Rafael Leaos ka dhënë sinjal të fortë për merkaton dhe për klubin e Paris Saint-Germain, por njëkohësisht ka trembur tifozerinë e Milan-it.
“Parisi është gjithmonë një zgjedhje e mirë”,-zgjodhi të shkruante sulmuesi portugez në “Instagram”, ndërsa e kaloi ditën e pushimit duke vizituar kryeqytetin Francez.
Ndonëse ka diskutuar vazhdimisht me Milan-in për rinovimin e kontratës që përfundon verën e vitit 2024, ky postim i 22-vjeçarit i ka trembur të gjithë te “kuqezi”, kjo pasi vetëm verën e shkuar PSG-ja I mori portierin Donnarumma me parametra zero dhe klubi parizien e ka treguar se kur bëhet fjalë për joshjen e lojtarëve asnjë tjetër nuk e arrin më mirë se ata.
Leao është një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës së Milan, ndërsa gjatë këtij sezoni të Seria A, sulmuesi ka luajtur në 31 ndeshje dhe në to ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 5 asiste, duke qenë vendimtar në fitoret e ekipit të tij dhe duke e ndihmuar “Djallin” që të jetë në krye në renditjes të elitës së futbollit italian 3 javë përpara përfundimit dhe pse jo ndoshta edhe në sigurimin e titullit kampion.