Presidenti i Monzës, Silvio Berluskoni së bashku me drejtorin sportive të klubit Galiani po shfaqen mjaft aktiv në merkato në ditët e fundit në kërkim të ndërtimit të një skuadre sa më të denjë për sezonin e ardhshëm në Serinë A, ku në listën e objektivave duket të ketë përfunduar dhe ish-sulmuesi i Milanit Stefan El Sharaui.
Sipas raportimeve nga “Corriere dello Sport”, El Sharaui i cili ka pasur pak hapësira te Roma në sezonin e shkuar do të ishte në kërkim të një minutazhi të shtuar të cilin skuadra e Monzës mund t’ia ofronte.
30-vjeçari do të ishte i gatshëm për këtë transferim brenda Serisë A me dëshirën për të qëndruar brenda vendit dhe për të luftuar për një vend në kombëtaren Italiane.
Fatet e këtij transferimi varen edhe nga dëshira e Zhoze Murinjos, me teknikun portugez që duhet të vendosi për largimin e italianit pasi të jetë informuar me klubin për përforcimet e ardhshme në repartin e sulmit të Romës.