Presidenti i FFK-së, Agim Ademi gjatë ditës së sotme ka qëndruar afër Kombëtares U21, e cila të shtunën shënoi fitore ndaj Andorrës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin evropian.
Kreu i FFK-së i përgëzoi nga afër Dardanët e rinj për paraqitjen e bërë në Andorrë, teksa i inkurajoi ata që të vazhdojnë të luajnë me përkushtim edhe në ndeshjet e ardhshme kundër Anglisë dhe Shqipërisë.
Ademi theksoi se ecuria pozitive e Kombëtares U21 është shumë e rëndësishme, pasi sukseset e saj garantojnë të ardhme të ndritur, por njëherësh edhe futbollistëve u jep mundësi për të qenë pjesë e Kombëtares A në vazhdimin e karrierës së tyre.
Dardanët U21 sot kanë mbajtur stërvitje në Hajvali, aty ku do të mbajnë edhe nesër seancën e radhës, teksa ndeshjen me Anglinë U21 e zhvillojnë të premten.