Armando Broja vazhdon ta ketë të paqartë të ardhmen e tij nëse do të qëndrojë apo do të largohet nga Chelsea.
Sulmuesi shqiptar është bashkuar me londinezët në stërvitjet parsezaonale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën urdhrat e Thomas Tuchel.
Rivali lokal i Chelseat, West Ham United po e kërkon me ngulm transferimin e reprezentuesit shqiptar madje ka bërë një ofertë zyrtare prej 35 milionë eurove.
‘Çekanët’ janë skuadra më e interesuara për Brojën dhe njëherit më favoritet para Newcastle United e Everton që gjithashtu janë në garë për shqiptarin.
Por për të ardhmen e Brojës ka folur edhe trajneri gjerman i Chelseat, Thomas Tuchel duke thënë se nuk kanë interes ta shesin atë.
“Armando Broja është një lojtar i yni para së gjithash dhe nuk kemi asnjë interes ta shesim atë”, tha Tuchel.
“Broja është këtu me ne për të lënë përshtypje në fazën përgatitore”, u shpreh ndër të tjera Tuchel.
Mbetet të shihet nëse vërtet Chelsea dëshiron ta mbajë Brojën apo qëllimi është që vetëm t’i rritet çmimi reprezentuesit shqiptar.