Futbollisti i talentuar nga Kumanova, Agan Sulimani, ka shënuar një gol të bukur dhe ka dhuruar një sllallom të madh në humbjen 3:1 të skuadrës së tij Kumanova Milano 2010 ndaj Makedonija GJP, në ndeshjen e fundjavës, e vlefshme për kampionatin e Ligës së të rinjve-Gjenerata 2005, shkruan Open-TV.
Zhbllokimin e rezultatit të kësaj ndeshje e bëri pikërisht Agan Sulimani që në minutën e 12-të realizoi gol. Ai diku afër qendrës së fushës ia vodhi topin mbrojtësit kundërshtar dhe më pas pandalshëm u nis drejt portës, u fut brenda zonës së rreptësisë dhe me një gjuajtje precize me këmbën e djathtë mposhti portierin vendës.
Disa minuta më vonë, po i njëjti lojtar, Agan Sulimani, mori një top në afërsi të qendrës së fushës, në krahun e djathtë, në pjesën që i takonte ekipit të tij dhe me një sllallom të madh në hapësirë të vogël i kaloi 5 lojtarë kundërshtarë, pastaj e pasoi topin në krahun e majtë te bashkëlojtari i tij, por për fat të keq ky aksion i bukur i tij përfundoi pa sukses.
Sezonin e kaluar Agan Sulimani ishte ndër futbollistët më meritor që Kumanova Milano 2010 u shpall kampion i ligës së dytë dhe siguroi pjesëmaarrje në Superligën e të rinjve.