Mallorca barazoi në shtëpi me Real Sociedad në shifrat 1-1, në një sfidë ku mungonte për shkak kartonësh futbollisti i përfaqësues së Kosovës, Vedat Muriqi.
Ndeshja nisi mirë për miqtë që shënuan që në minutën e tretë me anë të Carlos Fernandez. Më pas ritmi i lojës ishte i ulët. Goli i barazimit u realizua në fillimin e pjesës së dytë, saktësisht në të 50′ me Kang-In Lee.
Koreanojugori kaloi dhe portierin Remiro, për ta dërguar topin në rrjetë dhe për të nisur festën në stadium.
Në vijim rastet nuk munguan, me Ndiaye që u ndal nga shtylla.
Sociedad e mbylli takimin me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Merinos (90′). Kjo është ndeshja e katërt radhazi pa fitore në kampionat dhe e pesta në të gjitha garat.
Pavarësisht rezultateve të fundit, Sociedad ndodhet në vendin e katërt me 45 pikë, po aq sa dhe Atletico Madrid. Mallorca në anën tjetër renditet e dhjeta me 32 pikë.