Legjenda spanjolle “var këpucët” si “rekordmen” i Real Betis

Futboll

Legjenda spanjolle “var këpucët” si “rekordmen” i Real Betis

Më: 19 prill 2023 Në ora: 18:52
Joaquin Sanchez

Veterani spanjoll i Real Betis, Joaquin Sanchez, “kapiteni i përjetshëm” i “bardhëjeshilve” ka vendosur të njoftojë si një “rrufe në qiell të hapur”, se ky do të jetë sezoni i fundit për të në futbollin profesionist, duke i dhënë kështu fund në moshën 41-vjeçare, një karriere të gjatë prej më shumë se 2 dekadash.

Mirëpo, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe Joaquin nuk “fiton” ndonjë dëmtim, numri 17 “legjendar” i Real Betis do të ketë mundësinë të kalojë legjendën spanjolle Andoni Zubizarreta si lojtari me më shumë paraqitje në La Liga, me anësorin e Real Betis që ka regjistruar deri më tani 615 ndeshje, ndërsa ish-portieri legjendar i Barcelona, Bilbao e Valencia ka grumbulluar 622 paraqitje.

Joaquin e bëri debutimin e tij me ekipin e parë të Real Betis, më 3 shtator të vitit 2000, me “bardhëjeshilët” që atëherë militonin në La Liga 2 (Kategoria e dytë e futbollit spanjoll).

Që prej asaj periudhe e deri më tani Joaquin ka zhvilluar plot 740 ndeshje si profesionist me ekipe si Real Betis, Valencia, Malaga e Fiorentina, si dhe 51 të tjera i ka regjistruar me Kombëtaren spanjolle, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e grupit “triumfues” të “furia roja”, në 2 Evropianet e në Kupën e Botës të vitit 2010.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat