Barazimi i djeshëm 3 me 3, mes Arsenal e Southampton në “Emirates Stadium”, nuk bëri asgjë më shumë përveç se hapi siparin e javës së 32-të, të Kampionatit anglez të futbollit, Premier League, kampionat i cili tashmë ka hyrë në fazën e tij të fundit, me të gjitha ekipet që kërkojnë vetëm rezultate pozitive në mënyrë që të plotësojnë objektivat e tyre.
Kështu, ditën e sotme do të zhvillohen dhe 5 sfida të tjera, ku e para do të jetë përballja e orës 13:30 në arenën “Craven Cottage” të Londrës, mes Fulham e Leeds United, me këta të fundit që kërkojnë të gjejnë fitoren e “mbijetesës”, pas “shpërfytyrimit” 6 me 1, që pësuan nga Liverpool, në “Elland Road”, mbrëmjen e së hënës.
Më pas në orën 16:00 do të zhvillohen dhe 4 sfida të tjera, ku pritet spektakël i garantuar.
Në “Brentford Community Stadium”, “bletët” e Brentford do të presin Aston Villa-n e spanjollit Unai Emery, me këta të fundit që janë shumë pranë sigurimit të një pozicioni në zonën e Kupave të Evropës dhe me një Ollie Watkins në superformë nuk do të tentojnë asgjë më pak se fitorja.
Në krahun tjetër, si Aston Villa dhe Liverpool kërkon Evropën, me “të kuqtë” e Jurgen Klopp, që presin ditën e sotme në “Anfield Road”, Nottingham Forest në një përballje ku pritet një tjetër goleadë, si ajo e së hënës mbrëma.
Ndërkaq, përveç përballjeve të Evropës do të zhvillohen dhe “betejat e mbijetesës.
Everton do të udhëtojë drejt “Selhurt Park”, aty ku vendasit e Crystal Palace premtojnë një ndeshje tejet të vështirë për “blutë” nga Liverpul, ndërsa “dhelprat” e Leicester do të presin në “King Power Stadium”, “ujqërit” e Wolverhampton, në një sfidë ku kërkohet vetëm fitorja.