Muharemi drejt Skënderbeut!
Skënderbeu është futur totalisht në vorbullën e merkatos, për të ndërtuar ekipin e sezonit të ardhshëm në Superiore.
Duke pasur parasysh se përgatitjet do të fillojnë më 25 qershor, korçarët kanë ndezur motorët për të plotësuar grupin që do të vihet në dispozicion të trajnerit Ivan Gvozdenoviç për fazën përgatitore.
Emri më i fundit që drejtuesit po negociojnë për të afruar te bardhekuqtë është sulmuesi i krahut, Suhejl Muharem, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Strugës, që u shpall kampione në Maqedoninë e Veriut.
Burime në klubin korçar tregojnë se ka pasur kontakte të avancuara me lojtarin në ditët e fundit. 21-vjeçari ka prishur kontratën me Strugën dhe tashmë është një futbollist i lirë në treg.