Romelu Lukaku ia shpërblen me dygolësh besimin trajnerit Tedesco, që i dha shiritin e kapitenit sulmuesit të Interit në mungesë të De Bruynes (Courtois braktisi grumbullimin në shenjë proteste).
Dygolëshi i Big-Rom (37’, 40’) i siguroi fitoren (0-3) “Djajve të Kuq” në transfertë me Estoninë në Grupin F.
Belgjika shkon në kuotën e 7 pikëve, tri më pak se Austria kryesuese, që fitoi 1-0 përballë Suedisë.
Në Grupin A, Norvegjia siguroi fitoren e parë në grup, 3-1 përballë Qipros, që ende nuk ka marrë pikë në këtë fushatë eliminatoresh.
Në Grupin G, Hungaria ngjitet në vendin e parë, pasi fitoi 2-0 me Lituaninë, ndërsa Bullgaria barazoi 1-1 me Serbinë në ndeshjen e luajtur në Razgrad.
Në Grupin J. Portugalia fitoi në shtesë 0-1 në fushën e Islandës, në ndeshjen e 200-të të Cristiano Ronaldos me përfaqësuesen luzitane. Ishtë pikërisht CR7 ai që e çoi topin në rrjetë.
Po në këtë grup, surprizën e bëri Luksemburgu, që fitoi 0-2 në fushën e Bosnjë Hercegovinës, ndërsa Lihtenshtajni u mposht minimalisht nga Sllovakia.