Roy Hodgson nuk mund të qëndrojë larg futbollit. 75-vjeçari ka një eksperiencë të madhe në stol. Edhe pse kishte vendosur të tërhiqej, thirrjes së Crystal Palace nuk iu përgjigj negativisht më 21 mars.
Duke u shndërruar në trajnerin më të vjetër në histori që drejton në Premier League. Hodgson udhëhoqi Crystal Palace drejt vendin të 11-të në kampionatin anglez, rezultat tepër i mirë për klubin.
Drejtuesit dhe tifozët e duan sërish në stol, dhe Hodgson ka pranuar të qëndrojë edhe për një edicion tjetër. Akordi mes palëve është arritur dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi i rinovimit.
“Pranova për të dalë në pension, kështu sa për të thënë. Njësoj siç bëjnë të gjithë. Ecja rrugëve dhe njerëzit më pyetnin nëse po e shijoja realisht pensionin…
Në të njëjtën kohë, unë e ndjeja se nuk ndihesha aq i vjetër sa për të dalë në pension. Realisht nuk ndihesha ashtu.
E di që jam i vjetër, e konfirmon edhe certifikata ime e lindjes, por brenda meje ndihem ndryshe”, u shpreh Hodgson pasi firmosi me Crystal Palace gjatë ditëve të fundit të muajit mars.