FC Voska Sport njofton afrimin e Agon Hanit.
Mbrojtësi i krahut të majtë te skuadra nga Ohri vjen nga rradhët e Pobedës, aty ku sezonin e fundit numëroi 22 paraqitje.
Hani me Voska Sport ka firmosur kontratë një vjeçare, ndërsa i njëjti shihet si zëvendësues i Iljas Çilafit.
Hani karrierën profesioniste e ka nisur te Akademia Pandev, për të luajtur më pas edhe me Mladost Carev Dvor, nga e cila skuadër verën e vitit 2016, si 18-vjeçar ishte transferuar te skuadra çeke e Slovaçko U19.
Ai më pas provoi veten edhe tek skuadra e të rinjve të Jablonec, që më pas të transferohet te ekipi i seniorëve të Vysehrad, aty ku luajti për një vit të plotë, për tu rikthyer sërish në futbollin vendor verën e vitit 2020.
Me një eksperiencë nga futbolli europian, Hani vendosi të rikthehet te skuadra e vendlindjes së tij, Struga Trim Lum, që tashmë luante në Ligën e Parë, ndërsa pas dy viteve qëndrim, me jo edhe aq shumë minutazh në këmbët e tij, i njëjti verën e vitit 2022 vendosi të transferohet te Pobeda.
Hani në Ligën e Parë numëron plotë 57 paraqitje dhe 3 asistime për gol, ndërsa përvoja e tij pritet që të ndihmojë skuadrën e Voska Sport në garat elitare.