Një ‘mospërgjigje’, që mund të nënkuptojë shumë ajo e Çavit, e ‘rrëmbyer’ nga mikrofonat e “TV3” mbi hipotezën e rikthimit të Nejmarit te Barcelona.
Sulmuesi brazilian dyshohet se i kërkoi PSG-së të shitet dhe ëndrra e madhe e tij është të kthehet në Katalonjë, duke u vënë në dispozicion të trajnerit Çavi, me të cilin luajti së bashku pikërisht te blaugranat.
“Neymar?
Nuk mund të parashikoj asgjë. Vitin e kaluar thashë emrin e një lojtari nga një ekip tjetër dhe atje u zemëruan.
Do të shohim deri në fund të merkatos,” tha mes tjerash Xavi.
Asnjë fjalë përfundimtare, pas suksesit në miqësoren kundër Totenhamit, madje as për Ansu Fati, sulmuesin e ri blaugrana, i cili lidhet me PSG-në dhe është në radarin e sauditëve të Al Hilal.
“Të shohim. Ka ende shumë për të bërë deri më 31 gusht, aq shumë varet edhe nga ‘fair play financiar’.
Megjithatë, jam i kënaqur me mënyrën se si lojtarët po stërviten dhe me përgatitjet parasezonale”.
Në mbrojtje të titullit të La Liga-s, Barcelona do ta nisë sezonin e ri si kampione këtë të diel (13 gusht) në Getafe dhe po garon me kohën për të zhbllokuar listën e federimeve dhe regjistruar përforcimet e reja.