Talenti shqiptar, Stiven Shpendi, bëri një hap të madh në karrierë, teksa në këtë merkato vere u transferua nga skuadra e Çezenës drejt Empolit, teksa ditën e djeshme bëri edhe debutimin në elitën e futbollit italian.
Sulmuesi 20-vjeçar, i cili është pjesë e Kombëtares Shpresa të Alban Bushit, u aktivizua në minutën e 70-të në duelin e javës së parë ndaj Veronës, ku skuadra e Empolit u mposht me rezultatin 0-1.
Shpendi u bë protagonist në minutën e 80-të, duke provuar të shënonte një eurogol nga mesfusha, por fati nuk ishte me shqiptarin, pasi portieri mik Montipo, arriti të reagonte në kohë, duke e devijuar topin në këndore.
Me pak më shumë fat, Stiven Shpendi mund të kishte bërë një debutim magjik me skuadrën e Empolit.